Vazhdon gjendja e gatishmërisë në Mitrovicë
Mitrovicë, 10 shkurt - Edhe pse të gjitha rrugët në territorin e Komunës së Mitrovicës janë zhbllokuar nga bora, duke përfshirë edhe fshatrat shqiptare të Leposaviqit dhe Zveçanit, gjendja e gatishmërisë vazhdon të mbetet në fuqi.
Zyrtarët komunalë thanë se do të jenë në gatishmëri për shkak të vazhdimit të reshjeve të borës.
Behxhet Bala, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se tashmë janë zhbllokuar të gjitha rrugët, duke përfshirë edhe fshatin Kaqandoll që kishte mbetur i izoluar prej të shtunës. Tha se është zhbllokuar edhe magjistralja Mitrovicë-Podujevë.
Ai theksoi se është duke u punuar që të pastrohen edhe rrugët lokale nëpër fshatra, në mënyrë që të krijohen kushte për qarkullim të lirë të qytetarëve.
Lajm i mirë është se KEK-u ka eliminuar defektet në rrjetin energjetik në zonën e Shalës dhe tashmë fshatrat Melenicë, Maxherë dhe Zabergj janë të kyçura në rrjet.
Mehmet Bajrami, zyrtar në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, njoftoi se janë pastruar edhe rrugët e fshatrave shqiptare të Komunës së Zveçanit.
Dje është pastruar nga bora edhe rruga që kalon prej Kelmendit, nëpër Boletin e deri në Zhazhë.
Ai tha se nëse kushtet klimatike lejojnë, atëherë do të nisin largimin e grumbujve të borës nga rrugët e qytetit.
Një herë për një herë jemi të koncentruar në pastrimin e rrugëve edhe brenda fshatrave, mirëpo nëse kushtet lejojnë do të fillojmë me largimin e grumbujve të borës nga rrugët e qytetit.
Zyrtarët e policisë kanë thënë se rrugët në përgjithësi janë të kalueshme, megjithëse me vështirësi. Ata theksuan gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një aksident trafiku me dëme materiale.
Ndërsa zyrtarë të Kryqit të Kuq të Kosovës në Mitrovicë, njoftuan për një kontingjent ndihmash që do të dërgohet për në fshatrat shqiptare të Leposaviqit.
U tha se ndihmat janë siguruar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kryqi i Kuq i Kosovës dhe shoqata humanitare Nëna Tereze.
Ndryshe, për të parë gjendjen reale në terren pas reshjeve të borës gjatë ditëve të fundit, ka qëndruar në zonën e Shalës edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala.
Kryetari Kastrati ka kërkuar përkushtim të të gjitha resorëve përgjegjës në mënyrë që situata të menaxhohet me sukses.