Vala ofron telefon me pako nga 10 deri në 100 euro
Prishtinë 20 korrik Operatori publik Telekomi i Kosovës, Vala, për herë të parë ka vendosur që të ofrojë telefona smart, përfshirë edhe pakon, e cila fillon nga 10 euro për telefonat më të lirë e deri në 99 euro në muaj për telefona Iphone dhe Samsung.
Pagesa është mujore dhe qytetarët që zgjedhin ta marrin këtë produkt, nuk do të kenë nevojë të paguajnë ndonjë shumë paraprakisht. Zgjidhet telefoni me pako dhe fillon pagesa sipas kontratës që zgjedhë klienti, për 12 apo 24 muaj.
Do të ofrohen dy mënyra për tu pajisur me telefon. Në pika e shitjes së Vala-s do të mund të përzgjidhen këto oferta, por edhe përmes agjentëve tanë në terren, që do të kontaktojnë qytetarët dhe bizneset. Do të jemi agresiv në këtë drejtim, bëri të ditur Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Sipas tij, me ofrimin e këtij produkti të ri, Telekomi i Kosovës nuk dallon më për asnjë gjë nga kompanitë e njohura evropiane të telekomunikacionit.
Ka qenë e papranueshme për Telekomin e Kosovës që nuk ka qenë në gjendje të ofrojë telefona së bashku me pako deri më sot. Ndaj i jam i gëzuar që po startojmë, tha tutje Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Me ofrimin e kësaj superpakoje, Vala ka për qëllim kalimin e konsumatorëve nga parapagimi në klientë me kontratë, ruajtjen e klientëve ekzistues, rritjen e numrit të përgjithshëm të bazës së konsumatorëve si dhe rritjen e të hyrave.
Telekomi i Kosovës gjithashtu prezentoi produktin e ri, Vala Kids që iu mundëson prindërve ti kenë në kontroll fëmijët e tyre. Përmes një ore smart, e cila do të jepet falas dhe një pagese prej 9.95 euro në muaj, prindërit mund të dinë në çdo moment për vendndodhjen e fëmijëve të tyre.
Sot po hedhim në treg një produkt të quajtur Vala Kids;. Një orë e mençur iu tregon në çdo moment pozicionin dhe vendndodhjen e fëmijëve. Gjithashtu mund ti telefonojë prindërit përmes kësaj ore të mençur. Konsiderojmë se ky produkt që po mundësohet nga zhvillimi I madh teknologjik, është esencial për mijëra prindër që dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla çdo ditë, sepse mundësitë për tu kujdesur për ta tani janë më të mëdha, theksoi Agron Mustafa.