Vala lëshon në qarkullim edhe 20.000 numra për bashkatdhetarët

Prishtinë, 14 gusht - Ministria e Diasporës dhe Telekomi i Kosovës janë dakorduar që të lëshojnë në qarkullim edhe 20.000 numra shtesë për bashkatdhetarët, në kuadër të fushatës Ti je pjesë e atdheut.
Kjo ndodh si rezultat i interesimit të madh të bashkatdhetarëve për projektin e regjistrit, i cili implementohet nga Ministria e Diasporës.
Kësaj fushate, që ka për qëllim sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e procesit të hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës, Vala i është bashkuar në fillim të muajit korrik.
Për secilin bashkatdhetar që është regjistruar në pikat e regjistrimit ka dhënë edhe një numër falas me 100 minuta, 50 SMS dhe 500 MB falas, me vlefshmëri të kartelës për 12 muaj.
Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, për ta zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me Valën, me lëshimin e 20.000 numrave shtesë duke filluar që nga e nesërmja, e pret në një takim drejtorin e Valës, z. Agron Mustafa.