Vala e Telekomit ka humbur 9 - 11 milionë euro në vit nga kontrata me Z-Mobile
Prishtinë, 22 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje! organizoi konferencë në lidhje me përfundimin e kontratës së Telekomit të Kosovës me Z-Mobile.
Në konferencë folën deputeti i Lëvizjes, Liburn Aliu dhe drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, Fatban Bunjaku.
Më 17 janar 2019 është ngritur komision nga Bordi i Telekomit me përshkrimin e punës ‘Negociim i kontratës me Zmobile’. Komisioni duket sikur është formuar për zgjatjen e kësaj kontrate korruptive sesa për ndërprerjen apo rinegociimin e saj në favor të Telekomit.
Fatban Bunjaku u shpreh se, ky është momenti që pa hezitim Telekomi së paku të shpëtojë të ardhmen e tij nga dëmi i kësaj kontratë, pa harrur që për këtë kontratë duhet të ndodhë një proces gjyqësor i cili duhet të kishte dhe pasoja financiare për Z-mobile.
"Dëmi i është shkaktuar Valës për përfitim vetanak dhe jo vetëm, edhe për gjunjëzim të Valës me plan për ta blerë vetë në një privatizim të orkestruar. Edhe lëvizja e stafit në pozita të larta në Telekom drejt Z-Mobile, duke i komprementuar interesat e operatorit publik, flet në këtë llogari.”
Cilësia e shërbimit është degraduar së tepërmi dhe resurset e Valës janë mbishfrytëzuar nga Z-Mobile.
Vala e Telekomit ka humbur nga kontrata me Z-Mobile 9-11 milionë euro në vit si pasojë e të hyrave të munguara, zhvatjes së abonentëve, shitjen e shërbimeve nën kosto dhe praktikat e tjera "dumping" nga Z-Mobile, ndarja që përllogaritet vetëm nga raportimi i Z-Mobile e jo nga barazimi i të dhënave të dyanshme, si dhe 30 milionë gjobë nga arbitrazhi.
Deputeti Liburn Aliu tregoi përbërjen e komisionit, me anëtarë Trim Musliun, ish drejtor i marketingut, ish ud ekzekutiv, aktualisht nuk dihet qartë pozicioni i tij nw Telekom, Drejtori Financiar Armend Osajn, Drejtori i Zyrës Ligjore Sebaudin Ramaxhiku, zyrtari Arben Shabani, pozicioni i të cilit nuk dihet përpos që është afër menaxhmentit, dhe u.d. Drejtor Teknik Faton Isufi.
"Nuk jemi të sigurtë që ky komision ka marrë udhëzimet e duhura nga menaxhmenti për ta mbrojtur interesimin e Telekomit. Kjo kontratë duhet të ishte ndërprerë prej kohësh. Përmbajtja dhe pasojat e kësaj kontrate duhet të ishin tashmë të hetuara e të gjykuara nga organet e drejtësisë", ka theksuar ai.
“I bëjmë thirrje Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, si përfaqësues të aksionarit të vetëm të Telekomit të Kosovës, pra Qeverisë, të japin udhëzimet për bordin e Telekomit, rrjedhimisht për komisionin e ngritur për këtë temë, që ta konkretizojnë ndërprerjën përfundimtare të kësaj kontrate. Pra, mos të lenë hapur asnjë shteg për vijimin e saj”, u shpreh deputeti Aliu.
Kontratës me Z-mobile i ka skaduar afati. Nëse Kryeministri lejon vazhdimin e kësaj kontrate në heshtje, atëherë sipas Vetëvendosje edhe ai i nënshtrohet dhe bëhet partner në kontratën më korruptive dhe të dëmshme të këtij sektori të rëndësishëm.