Ulën tarifat kufitare për qytetarët e Luginës së Preshevës
Prishtinë, 18 maj - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot u takua me Drejtorin e Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli, me të cilin diskutoi lidhur me lehtësimin e taksave kufitare për qytetarët e Luginës së Preshevës.
Pas takimit, Drejtori Pacolli tha se në mbledhjen e mbajtur dje nga Asambleja e Përgjithshme e Kompanive të Sigurimeve, u vendosë se tarifat kufitare për veturat me targa të Serbisë, ku bëjnë pjesë edhe qytetarët e Luginës së Preshevës të ulën.
Ne dje kishim mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme që i përfaqësojnë të gjitha kompanitë dhe aty morëm një vendim, që tani automjetet me targat e Serbisë, që i përket edhe qytetarëve të Luginës së Preshevës, të kenë mundësinë që për 7 ditë të qëndrimi në Kosovë të paguajnë 20 euro, për dallim nga tarifa e më hershme që ishte 60 euro për 15 ditë, tha Pacolli.
Ndërsa, Zëvendëskryeministri Kuçi këtë vendim të Byrosë Kosovare të Sigurimeve e ka vlerësuar si një vendim të mirë që ndihmon qarkullimin e lirë për shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe një qëndrueshmëri për kompanitë e sigurimit në Kosovë.
Kuçi tha se ky vendim është vullnet i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe kompanive të sigurimeve, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por edhe të qytetarëve tjerë pa dallime etnike.