U përurua rruga në fshatin Koshtovë
Mitrovicë, 24 korrik - Kryetari i komunës Agim Bahtiri dhe nënkryetari Safet Kamberi, kanë marrë pjesë në përurimin e rrugës që lidh lagjen Seferi me pjesën e rrugës magjistrale të Adriatikut, që u krijon kushte të mira banorëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë.
\"Komuna po punon në realizimin e prioriteteve për të përmirësuar kushtet dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve. Kjo rrugë ka rëndësi pasi krijon mundësi për lëvizje dhe qarkullim më të lehtë të banorëve të këtushëm. Shpresojmë se shpejt do krijohen kushte që kjo rrugë dhe segmente të tjera të rrugëve të Koshtovës të asfaltohen\", tha kryetari Bahtiri.
Banorët e Koshtovës, përkatësisht të lagjes Seferi, që morën pjesë në përurim,. janë shprehur shumë mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen që ju ka dhënë komuna. Mirëpo, ata kanë potencuar edhe problemin madhor me të cilin përballet fshati me që është përfundimi i ndërtimit të ujësjellësit, që do të lehtësoj shumë jetën atyre.
Musa Seferi ka thënë se kjo rrugë i ka shpëtuar banorët e kësaj lagje, që më herët kishin problem qarkullimin, dhe për këtë falënderojnë drejtuesit e komunës. Ai ka thënë në vazhdim se shpreson që fshati të mbështetet nga komuna edhe për ndërtimin e disa rrugëve tjera dhe përfundimin e ujësjellësit, që është jetik për banorët.
Rruga e përuruar ka një gjatësi mbi 800 metra, gjerësi prej 6 metra, si dhe ka të rregulluar edhe kanalet kulluese, kalesat për ujërat kulluese dhe ka pasur një kosto prej 39 mijë euro, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës Blerim Baruti.