Tuneli i Kalimashit, shtyhet hapja e galerisë veriore
Tiranë, 18 tetor - Shtyhet edhe një javë përurimi i galerisë veriore të tunelit të Kalimashit. Ndonëse ishte premtuar lejimi i qarkullimit në datën 15 tetor, burime nga kompania, që po punon për ndërtimin e saj, pohojnë se tuneli do të hapet plotësisht pas një jave, në datë 22 tetor.
Nisur nga ecuria e punimeve në galeri, menaxherët patën deklaruar shumë javë më parë, se mesi i tetorit 2010 do të shënonte përfundimin e veprës, e cila tashmë nga ana e kompanisë Bechtel-Enka do ti dorëzohet një tjetre kompanie që do të merret me sigurinë e lëvizjes dhe mirëmbajtjen e tunelit.
Punimet në galerinë veriore kanë përfunduar duke përfshirë edhe sinjalistikën, kamerat e sigurisë dhe çdo gjë tjetër, por shkak për shtyrjen e përfundimit zyrtar, ose më saktë të deklarimit të galerisë të përfunduar, janë bërë disa probleme të shkaktuara në hyrjen e Thirrës nga reshjet e shiut, si dhe ndonjë problem me energjinë elektrike.
Kemi pasur disa dëmtime të vogla në argjinaturën e hyrjes në anën e Thirrës, si dhe ndonjë problem me energjinë elektrike, për këtë arsye është shtyrë hapja e galerisë, ka pohuar një nëpunës i kompanisë.
Ai shtoi se me këtë rast Bechtel-Enka i jep fund gjithë angazhimit të saj në këtë rrugë, e cila përbën investimin më të madh infrastrukturor në Shqipëri të kryer ndonjëherë.
Me përfundimin e galerisë së veriut punëtorët e mbetur në Shqipëri, do ti bashkohen kantierit të madh të ngritur në Kosovë, ku gjithashtu Bechtel-Enka po ndërton vijimin e autostradës nga Morini drejt Prishtinës dhe më tej.
Përfundimi i plotë i galerisë veriore të tunelit të Kalimashit që do të shënohet aty nga data 22 tetor 2010, do të tregojë edhe përfundimin e veprës në tërësi, si dhe do të shkurtojë akoma më shumë kohëzgjatjen e udhëtimit Tiranë-Prishtinë e anasjelltas.
Me hapjen e galerisë veriore ne fitojmë 30 minuta kohë në udhëtim, sepse tani nuk ndalojmë të presim sa të dalë karvani i makinave nga ana tjetër, por secili do të udhëtojë pa ndërprerje, tregon një zjarrfikës nga Kukësi, duke shtuar se me hapjen e galerisë së dytë lehtësohet mjaft edhe puna e efektivit të sigurisë.
Galeria veriore e tunelit u vu në funksion për disa muaj në verën e vitit 2009, siç u tha në komente të ndryshme, për turizmin dhe fushatën elektorale. Kjo galeri në atë kohë ende nuk ishte përfunduar plotësisht, por u hap vetëm për pak muaj.
Në vjeshtën e vitit 2009 ai u mbyll sërish, për të realizuar pjesën e mbetur të pabetonuar, si dhe të disa ndërhyrjeve të tjera që erdhën pas një shembjeje në tunelin jugor, ndërhyrje që zgjatën një vit të plotë.
Nga ana tjetër, tuneli i Kalimashit në verën e këtij viti u rivu në funksion me anë të galerisë jugore, e cila ndryshe nga një vit më parë, u hap krejtësisht e përfunduar, duke i dhënë vendit përfundimisht një rrugë të shkurtër të përhershme të lidhjes ekonomike dhe kombëtare me Kosovën.
Kjo galeri do të mbahet mend edhe për shembjen që ndodhi në dimrin e shkuar, e cila shkaktoi jo vetëm vonesa dhe dëm ekonomik, por edhe një lumë komentesh në media për abuzime me fondet publike etj.