Tuneli i Kalimashit do hapet në mes të majit
Tiranë, 12 mars - Mesi i majit do të finalizojë hapjen e galerisë jugore të tunelit të Kalimashit, që do të jetë i lirë për kalimtarët. Prej disa muajsh, kjo galeri qëndron e mbyllur si rezultat i shembjes që ka pësuar, por nga ana e Ministrisë së Transporteve është konfirmuar që synohet fillimi i qarkullimit të lirë para sezonit të verës.
Kjo vjen për efekt të turizmit, ku një pjesë e mirë e shtetasve kosovarë, por edhe emigrantë, vijnë për të kaluar pushimet në brigjet shqiptare.
Ndërkohë paralelisht po punohet edhe në galerinë veriore për betonimin dhe fortifikimin e një kilometri në mes të tunelit, që ishte i papërfunduar dhe i pasigurt, dhe si afat i mundshëm i hapjes jepet vjeshta.
Firma "Bechtel Enka" ka përqendruar punën edhe te riparimet në aksin rrugor Rrëshen -Thirrë, sidomos në afërsi të Repsit, ku ka pasur dëmtime të rrugës nga rrëshqitjet e shpateve të rrugës, por dhe nga fjetja e bazamentit që ka shkaktuar çarje të asfaltit.
Një pjesë e mirë e brezit të sigurisë është dëmtuar dhe duke shfrytëzuar faktin që rruga është e bllokuar po bëhen riparimet, në Luginën e Fanit. Disa segmente të vogla janë mbuluar me inerte për të mos u dëmtuar më tej.
Në segmentin Kukës -Morin ka pasur dhe çarje të rrugës në disa vende dhe dëmtim të sinjalistikës. I papërfunduar mbetet dhe nënkalimi që do të lidhë qytetin e Kukësit me autostradën në një gjatësi 2 km.
Ndërkaq firma "Bechtel Enka", si fituese e tenderit për pjesën tjetër të korridorit në Morin-Merdare në Kosovë, ka filluar transferimin e mjeteve për në Kosovë.