Trotuaret të jenë në shërbim të gjitha kategorive të shoqërisë
Prishtinë, 24 nëntor - EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me OPDMK të enjten kanë realizuar performancën publike Kërkojmë trotuare për të gjithë, përmes të cilit aktivitet kanë reaguar ndaj pasivitetit të deritanishëm të autoriteteve komunale në ndërmarrjen e masave adekuate për sigurimin e qasjes së barabartë në trotuaret e rrugëve kryesore të qytetit të Prizrenit për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Përmes këtij aktiviteti, në mënyrë simbolike përkatësisht duke vendosur disa karroca në rrugën Remzi Ademaj është theksuar e drejta e PAK-ve për qasje dhe qarkullim të barabartë dhe më të sigurt brenda zonës urbane.
Performanca publike Kërkojmë trotuare për të gjithë është realizuar në kuadër të projektit Prizreni, një qytet pa pengesa. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti përfshinë ngritjen e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara dhe të rinjve në projektimin e Prizrenit pa pengesa.
Projekti financiarisht përkrahet nga USAID nga programi E4E, dhe mbikëqyret nga ATRC derisa zbatohet nga EC Ma Ndryshe dhe OPDMK.