Trotuaret e Prishtinës ende të zaptuara
Një nga komponentet themelore të lëvizjes për qytetarë në hapësirat urbane janë trotuaret rrugët e këmbësorëve. Trotuaret janë ato pjesë të hapësirës publike në qytet, të cilat, pos që e krijojnë sipërfaqen e përshtatshme për ecje në publik, iu ofrojnë siguri këmbësorëve nga aksidentet e trafikut. Trotuaret e mira janë ato të cilat i akomodojnë së paku dy persona të rritur që të mund të ecin përbri njëri-tjetrit dhe janë të lira nga elementet horizontale dhe vertikale që e vështirësojnë ose pengojnë krejtësisht lëvizjen.
Në qytetin e Prishtinës janë pikërisht trotuaret ato pjesë të hapësirës publike, të cilat, me pengesat që i përmbajnë, e vështirësojnë lëvizjen dhe jo rrallë e rrezikojnë jetën e këmbësorit. Pengesat e lëvizjes në trotuare janë kryesisht rezultat i ngushtimit, zaptimit dhe bllokimit me vetura të parkuara, zgjerime të ndërtesave në përdhesë dhe mallrat, reklamat dhe elementet e ndryshme të ekspozuara nga lokalet.
Edhe pse problem kritik, që shtrihet pa përjashtim në tërë qytetin, për ta ilustruar shkallën e zaptimit të trotuarëve, EC Ma Ndryshe përzgjodhi tri rrugë karakteristike si mostra për hulumtim. Mostrimi u bë duke u bazuar në pozitën e rrugës në qytet, frekuencën e lëvizjes motorike dhe këmbësorike, madhësinë dhe kategorinë e rrugës. Së këndejmi, rrugët ku u krye investigimi janë si vijon:
- Bulevardi Dëshmorët e Kombit - një nga akset kryesore të qytetit, që karakterizohet me frekuencë të lartë të trafikut motorik dhe këmbësorik, trotuaret e së cilës shkojnë përgjatë objekteve të mesme të banimit kolektiv me përdhesa komerciale;
- rr. Rustem Statovci - rrugë dykahore që degëzohet nga njëri prej akseve më të frekuentuara të qytetit - rr. Agim Ramadani. Karakterizohet me frekuencë mesatare të trafikut motorik dhe këmbësorik, trotuaret e së cilës shkojnë përgjatë zonës së kombinuar me banim individual dhe kolektiv.
- rr. Armend Daci - rrugë njëkahore banimi, me frekuencë mesatare të trafikut këmbësorik dhe motorik, trotuaret e së cilës në njërën anë përshkojnë zonën me banim kolektiv të mesëm, ndërsa në anën tjetër kufizohen me zonë të banimit individual.
Metodologjia e investigimit përfshin evidentimin e pengesave të rrugëve të lartpërmendura në hartë dhe ilustrimin e tyre me fotografi. Hulumtimi u krye në ditë pune, në kushte klimatike të mira dhe në orët e ditës kur ka frekuencë të lartë të lëvizjes së këmbësorëve dhe mjeteve motorike.
Ky hulumtim nxori në pah në përgjithësi se, pavarësisht kategorisë së rrugës dhe zonës në të cilën gjenden, shkalla e zaptimit të trotuareve të investiguara në ditë pune është jashtëzakonisht e lartë. Rrugët e kategorisë së lartë, meqenëse kanë trotuare më të gjera, karakterizohen me ngushtim shpeshherë të skajshëm të sipërfaqes për lëvizje, me çrast vështirësohet kalimi i këmbësorëve dhe pamundësohet lëvizja e qytetarëve që përdorin karroca, ndihmesa të tjera, si dhe të prindërve me karroca fëmijësh.
Situata në rrugët e kategorive të ulta paraqitet edhe më e vështirë, meqë këto zona kanë trotuare më të ngushta për shkak të kategorisë së rrugës, por edhe për shkak të ndërtimeve pa leje që janë të shpeshta në këto zona, e po ashtu zgjerimet e shumta të përdhesave zaptojnë pjesë të medha të gjerësive të trotuareve. Për këtë arsye, në këto zona, për shkak të pengesave në trotuare, qytetarët janë kryesisht të detyruar të ecin në rrugë.
Nga ky hulumtimi del se pengesat më të shpeshta në rrugët e qytetit të Prishtinës janë:
- Automjetet e parkuara në trotuare
- Malli i ekspozuar i lokaleve
- Reklamat në trotuare
- Vazot e betonta para lokaleve
- Objektet e ndryshme që vendosen për ta penguar parkimin
- Shtyllat e ndriçimit, shtyllëzat, shenjat e trafikut dhe elemente të ngjashme
- Zgjatimet dhe zgjerimet e përdhesave jashtë gabaritit të ndërtesave (shkallë, pllato dhe elemente të ngjashme).
- Mobiliari i lokaleve shërbyese të vendosura në trotuare, etj.
- Shportat dhe kontejnerët e mbeturinave,
Me rezulatatet e mbledhura gjatë këtij hulumtimi, EC Ma Ndryshe punoi hartat në të cilat shënohen pengesat e evidentuara në rrugët e investiguara, si dhe ato më karakteristiket ilustrohen me fotografi.
Pengesat e evidentuara në trotuaret e tri rrugëve të hulumtuara dëshmojnë edhe shkallën e lartë të zaptimit të trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike si fenomen i kudogjendur në Prishtinë.
Duke qenë se trotuaret në rrugët e qytetit të Prishtinës janë sipërfaqe në pronësi publike dhe se çfarëdo veprimi i zaptimit të tyre nga qytetarë apo pronarë lokalesh të papërgjegjshëm është shkelje ligji dhe pengim dhe vështirësim i rrjedhës normale të lëvizjes këmbësorike në qytet në përgjithësi, EC Ma Ndryshe fton Inspektoratin e Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë masa konkrete për largimin e të gjitha pengesave si dhe lirimin e trotuarëve për shfrytëzim të qytetarëve.
Në veçanti, EC Ma Ndryshe i rekomandon Inspektoratit të Komunës së Prishtinës edhe:
- Të largohen të gjitha strukturat e ndërtuara (shkallë, pllato dhe të ngjashme) nga përdhesat e adaptuara në lokale, që me gabaritin e tyre ngushtojnë në masë kritike hapësirën për lëvizje të këmbësorëve,
- Të largohen vazot e betonit, pengesat e tjera, reklamat, malli i ekspozuar para lokaleve,
- Të largohet mobiliari përpara lokaleve shërbyese në hapësira publike, aty ku ngushtohet kalimi i lirë të këmbësorëve,
- Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të pengohet parkimi i veturave në trotuare dhe sipërfaqe të tjera të dedikuara për lëvizjen e këmbësorëve,
- Në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe të Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, shtyllat e ndriçimit, elementet e tjera infrastrukturore, shportat dhe kontejnerët e mbeturinave, sinjalistika e rrugëve, të ripozicionohen asisoj që të mos e vështirësojnë shfrytëzimin e trotuareve nga ana e qytetarëve.
Projekti i EC Ma Ndryshe për monitorimin e transparencës së komunës së Prishtinës do të vazhdojë të publikojë të gjeturat e monitorimit përmes komunikatave të rregullta dhe përmes ueb-faqes së projektit, ku të gjeturat postohen drejtpërdrejtë nga monitoruesit. Të gjitha të gjeturat e monitorimit, përfshi komunikatat e rregullta dhe shumë informacione të tjera në lidhje me qeverinë lokale të Prishtinës do të publikohen në ueb-faqen e projektit, www.online-transparency.org.