Treni serbë vihet në qarkullim në në relacionin Kralevë - Pozhegë

Beograd, 18 janar - Ministrja e ndërtimtarisë, komunikacionit dhe infrastrukturës në qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviq, tha të mërkurën se treni i dekoruar me fotografitë e freskave nga manastiret serbe nuk do të qarkullojë më në relacionin e Mitrovicës.
Ajo tha se ky tren do të bartë udhëtarë në relacionin hekurudhor Kralevë-Pozhegë.
Mihajloviq tha se vendimin që treni të vihet në funksion sërish, por në binarë tjerë, e ka marrë për shkak të arsyeve ekonomike.
Ministrja tha se i ka sugjeruar udhëheqjes së hekurudhave në Serbi që treni, pikërisht për gjithë atë që ndodhi në fundjavën e kaluar, të udhëtojë në sa më shumë qytete të Serbisë.
Një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin Kosova është Serbi, në mbi 20 gjuhë të ndryshme, u nis të shtunën nga stacioni hekurudhor në Beograd drejt Mitrovicës së veriut.
Treni u kthye, pas një qëndrimi disa orësh në një qytet serb në kufi me Kosovën, pas përshkallëzimit të tensioneve.
Autoritetet në Beograd fajësuan Prishtinën zyrtare për nxitje të konfliktit ndërkohë që kjo e fundit tha se ia ndaloi hyrjen në Kosovë trenit që e cilësoi provokues dhe përpjekje për të shkelur sovranitetin e vendit.
Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të bisedimeve për normalizim, të lehtësuara nga BE-ja, e cila ka ripërsëritur qëndrimin e saj se të dyja palët duhet ti rikthehen dialogut.