Transporti Urban në Prizren tashmë ka materiale informuese
Përmes performansës Harta e Transportit Urban të Prizrenit dhe shenjëzimi i autobusëve ato janë vënë në shërbim të publikut me synimin që të lehtësohet informimi i qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë shërbim.
Në një analizë të bërë për transportin urban në Prizren, pas takimeve dhe punëtorive të organizuara nga EC dhe OPDMK me grupet e ndryshme të komunitetit, janë identifikuar problemet si mungesa e shenjëzimeve rrugore; mungesa e materialeve informuese; mungesa e stacioneve urbane; ndalesat jo të rregullta të autobusëve; pengesat në qasje të personave me aftësi të kufizuar, etj.
Për adresimin e problemeve të lartpërmendura EC dhe OPDMK kanë kontraktuar një grup të ekspertëve për prodhimin e zgjidhjeve konkrete në këtë drejtim. Në bashkëpunim edhe me kompaninë përgjegjëse për menaxhimin e këtij sektori në zhvillim e sipër është krijimi i platformës së transportit urban të Prizrenit.
Pos definimit të lokacioneve dhe emërtimit të stacioneve lokale e dizajnimit të materialeve grafike informuese (harta e linjave urbane, orari i shërbimit të këtyre linjave, shenjëzimet e stacioneve urbane dhe shenjëzimet brenda autobusëve), pjesë përbërëse e platformës janë edhe hartimi i manualit për transportin urban të Prizrenit; dizajnimi i Stacionit Urban Model në bazë të rregulloreve ndërkombëtare për stacionet urbane, me fokus të veçantë në standardet për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe dizajnimi i tabelës (shtyllës) informuese që përcakton lokacionin e stacionit lokal me të gjitha informatat përcjellëse.
Performansa Harta e Transportit Urban të Prizrenit dhe shenjëzimi i autobusëve është realizuar në kuadër të projektit Qyteti gjithëpërfshirës... që zbatohet nga EC Ma Ndryshe, me financim nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë.