Thaçi: Autostrada Prishtinë-Shkup arterie e zhvillimit ekonomik
Kaçanik, 3 qershor - Hani i Elezit do të përfitojë shumë nga projektet e mëdha të Misionit të Ri. Ne do të vazhdojmë investimet në infrastrukturë dhe projekti gjigant, nga i cili do të përfitoj edhe Hani i Elezit është ai i autostradës Prishtinë Shkup.
Kështu tha sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në një tubim në Han të Elezit. Ai tha se fitorja e PDK-së do të jetë e thellë dhe nuk do të lë hapësirë as për tu kundërshtuar, sepse do të jetë e pastër dhe bindëse. Këtë entuziazëm të madh për fitore po e shoh edhe këtu të ju, tha Thaçi.
Lideri i PDK-së deklaroi se Misioni i Ri garanton investime prej 1.5 miliardë euro, që do të sjellin zhvillim të madh ekonomik dhe 200 mijë vende të reja të punës.
Një fokus i veçantë, tha ai, do ti jepet edhe bujqësisë në të cilën do të investohen 500 milionë euro në mandatin e ardhshëm përmes të cilave do të sigurohen 50 mijë vende të punës.
Edhe në Kaçanik, lideri i PDK-së, tha se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit.
Kjo autostradë do të lidhë edhe më shumë shqiptarët. Do të shërbejë si urë lidhëse edhe për bizneset dhe përfitueset më të mëdha do të jenë komunat ndërkufitare, tha ai. Thaçi tha se tash është koha për një mision të ri të vendit, një mision të zhvillimit dhe punësimit.
Ai premtoi se përveç mbështetjes për sektorin privat, në mandatin e ardhshëm do të ketë sërish rritje pagash në sektorin publik. Nga 8 qershori ne do të fillojmë jetësimin e projekteve tona. Unë i ftoj partitë tjera, që të mos e përjetojnë rëndë humbjen e tyre, sepse misioni ynë i ri është përtej çdo partie politike, është për qytetarin, deklaroi Thaçi.
Duke votuar numrin 58, Thaçi tha se Kaçaniku dhe Hani i Elezit do të fuqizohen edhe më tepër si komuna.