Thaçi: Aeroporti i Prishtinës do të jetë nga më të bukurit në rajon
Prishtinë, 17 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, vizitoi punimet në terminalin e ri në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi tha se punimet janë duke u zhvilluar sipas planifikimeve, dhe aeroporti i ri, që do të jetë njëri nga më të bukurit në rajon, do të jetë i gatshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Kryeministri Thaçi po ashtu ka falënderuar konzorciumin turk-francez Limak-Aeroport de Lyon, për punën që është duke e bërë.
Më vjen mirë që shoh edhe punëtor lokalë duke punuar, dhe komunitetit e biznesit duke punuar në përmbylljen e punimeve , pra të investimeve mbi 100 milionë euro në aeroportin ndërkombëtar tha kryeministri Thaçi.
Projektet si ky, tha kryeministri, por edhe autostrada, tregojnë se Qeveria e Kosovës ka siguruar kushtet, mundësinë, sigurinë dhe ambientet e mira për investitorët ndërkombëtarë.
Ky është një fillim i ri, i angazhimeve tona, në këtë vit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, kështu që do të kemi suksese në rrafshin politik edhe në atë ekonomik. Në rrafshin politik me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, ndërsa në atë ekonomik, në forcimin ekonomik të Kosovës, në krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, e gjithashtu do të punojmë maksimalisht për hapjen e mundësive të reja për sjelljen e investitorëve tjerë në Republikën e Kosovës.
Ky projekt është më të mirëve, dhe më inkurajuesi edhe siguri e madhe për të gjithë investitorët që duan të vijnë të investojnë në Kosovë theksoi kryeministri Thaçi.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i konzorciumit Limak-Aeroport de Lyon, Haldun Gokturk, e falënderoj kryeministrinë Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për përkrahjen e treguar. Që nga fillimi e kemi planifikuar që kjo të jetë një storje e suksesshme dhe për këtë gjithmonë kemi pasur përkrahje nga Qeveria e Kosovës tha ai.