23 Dhjetor 2024

Tenderi i kundërligjshëm i Komunës së Obiliqit

Prishtinë, 8 korrik - Asfaltimi i një rrugë në fshatin Mazgit të Komunës së Obiliqit duket se do të jetë një problem i vazhdueshëm për zyrtarët e kësaj komune. Kjo rrugë që gjendet në lagjen Mavriqi është asfaltuar për herë të parë në fund të vitit 2013.

Pas disa muajve që është asfaltuar, ajo është prishur. Preportr ka raportuar në gusht të vitit të kaluar se si kjo rrugë paraqiste problem për banorët e asaj lagjeje për shkak se ishin hapur gropa të mëdha gjatë gjithë rrugës.

Për shkak se punët nuk ishin kryer siç duhet, Gjykata Themelore në Prishtinë, ndër të tjera, ka dënuar drejtuesit e kompanisë “Delta Ing” që e kanë fituar këtë tender dhe nënkotraktorin, për shkak se nuk i kanë kryer punët sipas kontratës, duke e mashtruar komunën.

Sipas gjykatës ata i kishin vënë në lajthitje zyrtarët komunal duke manipuluar me dokumente. Vendimi i gjykatës ka konstatuar se asfalti do të duhej të shtrohej në trashësi prej 8 centimetra, por në realitet është shtruar 4-5 centimetra.

Për shkak është dëmtuar shumë, Komuna e Obiliqit ka vendosur ta asfaltojë sërish këtë rrugë e cila është e gjatë 415 metra dhe e gjerë 4 metra. Asfaltimi i sërishëm i saj do t’i kushtojë komunës 29 mijë euro.

Por siç duket zyrtarët komunal sërish janë vënë në lajthitje apo mund të kenë bërë shkelje ligjore gjatë procesit prokurimit. Kontratën për asfaltimin e kësaj rruge dhe disa rrugëve të tjera në fshatin Mazgit dhe Dardhishtë të Komunës së Obiliqit e ka fituar një konzorcium prej tri kompanive: Graniti Com Sh.p.k; Delta – Ing Sh.p.k; ISPE Group Sh.p.k. Vlera totale e kësaj kontrate është 447 mijë e 833 euro.

Pronari dhe menaxheri i kompanisë “Delta Ing”, (e cila është pjesë e konzorciumit që e ka fituar këtë kontratë), në vitin 2017 janë dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për shkak të mashtrimit që i kanë bërë Komunës së Obiliqit, pikërisht gjatë ndërtimit të disa rrugëve. Për shkak të këtij dënimi, kjo kompani në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) nuk ka të drejtë të fitojë apo zbatojë kontratë nga autoritet kontraktuese në 10 vitet e ardhshme.

Bazuar në aktgjykim, në vitin 2018 Komuna e Obiliqit ka bërë padi civile ndaj disa kompanive, përfshi edhe kompaninë “Delta Ing”. Nga kompanitë e paditura komuna kërkon 70 mijë euro dëmshpërblim. Sipas zyrës për informim të kësaj komune, ende nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore lidhur me këtë rast.

Pra kompania e cila është vërtetuar se e ka mashtruar komunën, për më tepër kjo e fundit e ka paditur për dëmshpërblim, me datë 24.05.2019 është shpërblyer me kontratë.

Sipas aktgjykimit, Emri Sopjani pronari i kompanisë “Delta Ing” si dhe menaxheri përgjegjës i kësaj kompanie, nga prilli 2013 deri në shtator 2013, si persona përgjegjës për realizmin e projektit “Vazhdimi i asfaltimit të rrugës Breznicë – Lagja Koskavik dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Kozaricë”, kostoja e kontratës 44, 954.53 euro, “me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për operatorin ekonomik “Delta Ing” me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet, e kanë vënë në lajthitje personin tjetër, më saktë personin zyrtar në kuadër të drejtorisë kompetente pranë Komunës së Obiliqit, që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, përkatësisht Buxhetit të Kosovës”.

“Në bazë të raporteve të ekspertizës laboratorike ka rezultuar se trashësia e zhavorrit është 7.18 cm, kurse në bazë të kontratës është dashur të jetë së paku 25 cm. Mesatarja e trashësisë së asfaltit ka rezultuar të jetë 4.72 cm, kurse në bazë të kontratës është dashtë të jetë 8 cm. Kompaktësia mesatare e këtyre rrugëve ka rezultuar të jetë 95.93 %, e që është nën minimumin e lejuar 97 %, me ç’rast të pandehurit i kanë shkaktuar dëm të madh Komunës së Obiliqit, gjegjësisht buxhetit të Kosovës, e në këtë rast përfitim të kundërligjshëm të operatorit ekonomik “Delta Ing” lidhur me projektin e lartcekur në shumën e përgjithshme prej 44 mijë e 954 euro”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, Mashtrim nga neni 335 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 si dhe lidhur me nenin 31 të kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, të dy janë dënuar me burgim me kohëzgjatje një vit e gjashtë muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit nuk do të kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës prej dy viteve.

Operatori ekonomik duhej të shpallej i papërgjegjshëm

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, përkatësisht nenit 65, paragrafi 3, operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është dënuar nga gjykata kompetente për ndonjë vepër penale që janë cekur në gjashtë nënparagrafët e paragrafit 3.

Preportr ka pyetur Komunën e Obiliqit se a mund të jetë bërë shkelje ligjore kur i është dhënë kontrata konzorciumit, ku pjesë është edhe kompania Delta Ing, kur dihet se pronari dhe menaxheri i kësaj kompanie janë dënuar nga gjykata për një vepër penale, pikërisht për një tender për asfaltimin e rrugëve në këtë komunë.

Zyra për informim e kësaj komune ka thënë se në përputhje me nenin 65 të LPP-së dhe bazuar në Ligjet e Prokurimit, kanë kërkuar nga operatori ekonomik dëshmi që nuk ka dënime dhe se kjo dëshmohet me dokumente, të cilat edhe na i kanë dërguar.

Sipas këtyre dokumenteve, me datë 16 maj 2019 zyra e prokurimit e Komunës së Obiliqit i ka kërkuar operatorëve ekomomik që kanë konkurruar për të fituar kontratën se konform nenit 65 të LPP-së, paragrafit 3, konkretisht 6 nënparagrafëve se duhet t’i sjellin dëshmitë para publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës.

Ndër dokumentet e kërkuara janë edhe ato që do të duhej të dëshmonin se gjashtë muaj para datës së dorëzimit të dokumenteve për tender, operatori ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj, gjatë dhjetë viteve të kaluara nuk është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale.

Por konzorciumi i tri kompanive, përfshirë kompaninë “Delta Ing” nuk kanë sjellë dokumentet sipas kërkesës së komunës. Ata nuk kanë dërguar asnjë dokument nga gjykata që dëshmon se nuk janë dënuar për ndonjë vepër penale. Por kanë sjellë vetëm dokumentin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – departamenti për çështje ekonomike, se ato nuk janë shpallur të falimentuara në dy vitet e fundit dhe ndaj tyre nuk është iniciuar procedura e falimentimit, përkatësisht likuidimit. Ky dokument përmbush vetëm paragrafin e 4 të nenit 65 të LPP-së, por jo edhe paragrafët tjera që kanë të bëjnë me vepra penale.

Çuditërisht ky dokument i ka mjaftuar zyrtarëve përkatës të Komunës së Obiliqit që kompaninë në fjalë ta pranojnë si ofertues të përgjegjshëm, pavarësisht se në kërkesë i kishin kërkuar edhe dokumentet tjera.

Diana Metushi- Krasniqi njohëse e fushës së prokurimit thotë se dokumenti që e kanë paraqitur operatorët ekonomik te Komuna e Obiliqit nuk përmbush kërkesat e nenit 65 të LPP-së, paragrafi 3, që përcakton sanksionet ndaj operatorëve ekonomik dhe pronarëve/menaxherëve ndaj të cilëve janë shqiptuar dënime nga gjykatat.

“Certifikatën e kërkuar operatori ekonomik duhet ta marrë nga Gjykata Themelore Departamenti i Përgjithshëm, ku dëshmohet nëse biznesi dhe ndonjëri nga pronarët janë dënuar, dhe jo nga departamenti ekonomik, nëse kompania është në falimentim apo e falimentuar. Kjo është një mos njohuri e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e prokurimit, e cila po shfrytëzohet nga operatorët ekonomik të papërgjegjshëm”, thotë ajo.

“Në këtë rast, kjo kompani nuk ka pasur të drejtë të jetë pjesë e konzorciumit në fjalë, dhe oferta është dashur të mos pranohet fare, apo të shpallet e papërgjegjshme në kriterin e përshtatshmërisë”, thotë Metushi – Krasniqi.

Duke e marrë parasysh këtë rast, ajo thotë se KDI si pjesë e grupit të punës për koncept dokumentin për ndryshim/hartim të Ligjit për Prokurim Publik, do ta ngritë këtë çështje, dhe do të kërkojë që KRPP-së t’i ofrohet qasje e pa limituar në të dhënat lidhur me dënimet e operatorëve ekonomik, dhe që e njëjta të përpilojë dhe publikojë një listë me të gjitha kompanitë që janë dënuar, e që kjo do të ishte lista e zezë e operatorëve ekonomik.

Lidhur me këtë çështje Preportr ka kërkuar një interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP). Në përgjigjen e këtij institucioni thuhet se sipas nenit 65 të LPP-së, paragrafëve përkatës të këtij neni, asnjë operator ekonomik, drejtues, menaxher ose drejtor i saj nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose ekzekutim të kontratës në qoftë se i njëjti është shpallur fajtorë nga ndonjë gjykatë kompetente gjatë 10 viteve të kaluara për njërën nga veprat penale apo civile të parapara në e nenit 65 të LPP-së.

“Pranueshmëria e tenderueseve nuk mund të përcaktohet duke u bazuar vetëm në paragrafin 4 të nenit 65 të LPP-ës. Sipas nenit të lartë përmendur, për t’u konsideruar një operator ekonomik i pranueshëm, i njëjti duhet t’i plotësojë të gjitha kërkesat e nenit 65 të LPP-së”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Sipas KRPP-së, në përputhje me paragrafin 4 të nenit 71 të LPP-së, nëse një tender dorëzohet nga një grup i operatorëve ekonomik, secili anëtar i grupit është i obliguar të dëshmojë ose konfirmojë në përputhje me nenin 67 të këtij ligji, se nuk është i përjashtuar nga pjesëmarrja në aktivitetin e prokurimit sipas nenit 65 të këtij ligji.

“Pra kërkesat e nenit 65 të LPP-së duhet të plotësohen nga secili anëtar i grupit (konzerciumit) ndërsa çdo kërkesë e vendosur nga një autoritet kontraktues sipas neneve 66.2, 68 dhe 69 të këtij ligji do të aplikohet ndaj grupit si tërësi dhe jo ndaj anëtarëve individual të grupit”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Preportr ka pyetur KRPP-në për mundësinë e monitorimit të kësaj kontrate, por në KRPP thonë se departamenti i monitorimit ka mungesë të kapaciteteve, por është në proces e sipër të ngritjes së kapaciteteve dhe në një periudhë të afërt kohore do të angazhohet edhe me monitorime të rasteve.

Situata të tilla po ndodhin edhe për faktin se nuk ka ndonjë databazë apo listë të kompanive, pronarëve apo drejtuesve të tyre, të cilët kanë shkaktuar vepra penale dhe e cila do të ishte në shërbim të autoriteteve kontraktuese.


Diana Metushi-Krasniqi thotë se do të duhej të kishte një komunikim ndërmjet databazave të gjykatave, prokurorisë, Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe e-Prokurimit, lidhur me shqiptimin e dënimit ndaj kompanisë apo pronarëve dhe menaxherëve.

“Të dhënat do të pasqyroheshin në ARBK, dhe në momentin e shkrimit të numrit të biznesit në e-Prokurim, sistemi të ngrittë një flamur të kuq për dënimin ekzistues”, thotë ajo.

Por në KRPP thonë se ky institucion nuk është i obliguar ta dijë për ndonjë kompani menaxher ose drejtor të saj se a është i shpallur fajtor prej ndonjë gjykate kompetente për ndonjë vepër penale apo civile të parapara në nenin 65. Por autoriteti kontraktues e ka për obligim të kërkojë nga operatorët ekonomik, vërtetim nga gjykata se i njëjti është i pranueshëm dhe nuk ka kryer ndonjë nga veprat penale apo civile të parapara në nenin e lartë përmendur. Por në rastin konkret konzorciumi prej tri kompanive e ka fituar kontratën, pa e plotësuar këtë kriter.

Preportr ka kontaktuar me pronarin e kompanisë “Delta Ing” Emri Sopjani lidhur me këtë kontratë. Ai ka thënë se është dënuar si person fizik dhe se nuk është dënuar kompania e tij.

“Nuk kemi pasur ndalesa për ta fituar kontratën, nuk kemi pasur telashe. Unë jam dënuar si person dhe nuk marr pjesë në tenderë, por kompania merr pjesë”, ka thënë Sopjani.

Banorët shpresojnë që punimet të kryhen mirë

Preportr ka vizituar rrugën Mavriqi në fshatin Mazgit për të parë se si po shkojnë punimet. Deri më tani është gërryer asfalti që ka qenë aty dhe rruga është në zhavorr, duke u përgatitur për vendosjen e asfaltit të ri.

Burim Isufi, banor i lagjes “Mavriqi” thotë se prishja e kësaj rruge po u pengon shumë pasi që në disa vende është bërë e vështirë të kalohet me veturë. Ai thotë se shumë shpejt është prishur kjo rrugë pasi që nuk ia kanë bërë bazën si duhet dhe kualiteti i asfaltit nuk ka qenë i mirë.

Isufi thotë se banorët e mirëpresin asfaltimin e sërishëm të rrugës, duke shpresuar se kësaj here punët do të kryhen si duhet dhe të ketë mbikëqyrje profesionale nga komuna.

“Po shpresojmë që kjo rrugë do të asfaltohet mirë, në mënyrë profesionale dhe të mos ndodh siç ka ndodhur herën e kaluar. Zyrtarët kompetentë duhet t’i mbikëqyrin punimet në mënyrë të kujdesshme që mos të lejojnë të ndodhin gabime apo manipulime dhe besoj se punët do të kryhen siç duhet, sepse besoj në punën e kryetarit e Xhafer Gashi”, thotë Isufi.

Nuhi Mulliqi, një banor tjetër i kësaj lagje që e ka shtëpinë buzë rrugës, thotë se asfaltimi i sërishëm kësaj rruge ka qenë i domosdoshëm pasi që ishte bërë thuajse e pakalueshme për veturat për shkak të gropave të mëdha që ishin bërë aty.

“Deri më tani punët janë duke shkuar mirë dhe besoj që do të bëhen më mirë se herën e kaluar. Po duket se deri tash punët po shkojnë më mirë. Edhe zyrtarët e komunës po vijnë më shpesh te rruga për t’i përcjellë punimet”, thotë Mulliqi.

Sipas kontratës së nënshkruar mes Komunës së Obiliqit dhe operatorëve ekonomik, periudha garantuese e defekteve eventuale është tri vite. Kontrata e përcakton që për sigurimin e cilësisë së punëve, operatori ekonomik pas pranimit teknik duhet të ofrojë garancion bankar për sigurimin e punëve 10 për qind nga vlera e kontratës, në kohëzgjatje 3 vjet nga dita e pranimit teknik dhe obligimi se defektet e paraqitura gjatë afatit garantues do t’i sanojë në kohën sa më të shkurtër dhe pa asnjë kompensim.

Në të kundërt pajtohet që autoriteti kontraktues ato dëme do t’i sanojë me tjetër operator ekonomik dhe të njëjtat shpenzime do t’i faturojë kontraktorit që ka dhënë deklaratë mbi garantimin e punëve. Nëse janë grup operatorët ekonomik, kjo deklaratë jepet në emër të liderit të konzorciumit. Sipas kontratës, të gjitha punimet për asfaltimin e të gjitha rrugëve do të përfundojnë brenda një viti.

Sipas kontratës, ndërtimi i të gjitha rrugëve në fshatin Mazgit dhe Dardhishtë pritet përfundojnë brenda 365 ditëve.

/preportr/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)