Telekomi i Kosovës do të largojë nga përdorimi kodin e vjetër +381
Prishtinë, 20 mars - Telekomi i Kosovës njofton opinionin publik se në zbatim të planit të migrimit të hartuar nga ARKEP për implementimin e kodit shtetëror +383, nga data 24 mars 2018 do të largojë nga përdorimi kodin e vjetër +381.
Kodi +381 është përdorur nga Telekomi i Kosovës për telefoninë fikse që nga paslufta në mungesë të kodit shtetëror të Kosovës. Nga muaji shkurt i vitit të kaluar, Telekomi i Kosovës ka vënë në përdorim kodin shtetëror +383, paralelisht me kodin 381.
Marrëveshja e telekomunikcionit e arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka bërë të munduar që ITU, t’i caktojë/alokojë Kosovës kodin telefonik 383, duke specifikuar se ARKEP do të jetë administrues i vetëm i kodeve dhe do të komunikojë dhe koordinojë aktivitetet përkatëse me ITU-në.
Sipas kësaj marrëveshje, kodi telefonik +383, është kodi i vetëm telefonik që do të përdoret në Republikën e Kosovës pas periudhës kalimtare, respektivisht migruese të paraparë nga ARKEP.
“Në zbatim të planit të migrimit të hartuar nga ARKEP për implementimin e kodit +383, Telekomi i Kosovës i ka marrë në vazhdimësi të gjitha veprimet e duhura teknike dhe operative për ta funksionalizuar përdorimin e kodit të ri dhe largimin përfundimtar të kodit +381”, deklaroi Zv. Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, z. Nuredin Krasniqi.
Ai gjithashtu nënvizoi se shumë pengesa që kishte deri më tani Telekomi i Kosovës, janë eleminuar dhe në këto rrethana të reja të krijuara, tashmë me kodin e ri, përfitues do të jenë direkt qytetarët e Kosovës dhe vetë shteti i Kosovës.