29 Mars 2024

Telekomi do të kërkojë t’i rikthehen të gjitha mjetet e përmbaruara pa bazë ligjore

Prishtinë, 18 mars - Telekomi i Kosovës Sh.A. sot ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit me numër Ac.nr. 265/22 (“Vendimi i Apelit”), me të cilin kjo Gjykatë e ka aprovuar si të themeltë ankesën e debitorit Telekomi i Kosovës Sh.A. dhe çështjen e ka kthyer në procedim të sërishëm në Gjykatën Themelore.

Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se ankesa e Telekomit të Kosovës Sh.A. është e themeltë dhe se Telekomi i Kosovës ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të parregullt dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net dhe Z-Mobile në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A. Duke marrë parasysh këto shkelje serioze, lënda është rikthyer sërish në gjykim pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Vendimin e Gjykatës së Apelit e shohim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së ligjshmërisë në lidhje me kërkesat legjitime të Telekomit të Kosovës Sh.A.. Telekomi i Kosovës Sh.A. i siguron të gjithë se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike në dispozicion, me qëllim të sqarimit të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Vendimi i Apelit është në linjë me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se kemi të bëjmë me shkelje serioze dhe të rënda kushtetuese në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., në procesin e procedurës përmbarimore, të cilat shkelje përfshijnë Urdhrin Përmbarimor P.nr.491/19, të datës 15.07.2019 të lëshuar nga përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PPP.nr.1486/19 të datës 06.07.2020, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit AC.nr.3610/20, të datës 08.10.2020, dhe gjithashtu Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [CML.nr.12/20], të 20 janarit 2021.

Shkeljet kushtetuese dhe procedurale në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., të konstatuara nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese, lidhen me përcaktimin e shumës për të cilën është lejuar përmbarimi dhe bazat meritore të kundërshtimeve dhe ankesës së Telekomit të Kosovës Sh.A., e të cilat janë thelbësore për të përcaktuar detyrimet e Telekomit të Kosovës Sh.A.

Anulimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP. nr. 1486/19 të datës 06.07.2020 nënkupton që pagesat e deritashme nga ana e Telekomit Sh.A. janë bërë pa bazë ligjore dhe këto pagesa do të ndërpriten deri në një vendim meritor të gjykatës, së bashku me përllogaritjen e saktë dhe korrekte të vlerës, e cila do të përcaktohet në vijim në Gjykatën Themelore.

Kjo nënkupton se Telekomi i Kosovës Sh.A. nuk do të jetë i detyruar të bëjë pagesa deri në një vendim përfundimtar dhe të plotfuqishëm, që përcakton qartë detyrimet e palëve, shumën dhe afatet. Gjithashtu, Telekomi i Kosovës Sh.A. do të përdorë mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që të rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim, në xhirollogarinë e Telekomit të Kosovës Sh.A..

Në këtë fazë, duke mos harruar faktin se Telekomit të Kosovës Sh.A. i është bërë dëmtim serioz nga Përmbaruesi dhe instancat e Gjykatave, si dhe dëm kolateral në grumbullim të kamatave dhe pamundësisë së pagesave të obligimeve të tjera operative, Telekomi i Kosovës Sh.A. ka pritje legjitime që këtë radhë, sistemi gjyqësor i Kosovës do të ushtrojë rolin e tij kushtetues dhe ligjor në eliminimin e shkeljeve në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)