24 Dhjetor 2024

Telefonia fikse 3 milionë euro më pak të hyra

Prishtinë, 26 qershor - Për rreth 4500 është zvogëluar numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë gjatë vitit 2012, pavarësisht se vendi e ka normën mesatare më të ulët në rajon dhe Evropë.

Sipas raportit vjetor të vitit të kaluar të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), bazuar në të dhënat e operatorëve, rezulton se në vend janë rreth 81,603 përdorues aktivë të shërbimeve të telefonisë fikse, që shënon një rënie në numrin e përdoruesve me afërsisht 4,411 përdorues, apo rënie prej rreth 5.1 për qind krahasuar me 2011, përkatësisht një rënie prej 7.7 për qind në krahasim me vitin 2010.

Njëkohësisht norma mesatare e penetrimit të telefonisë fikse për 100 banorë gjatë vitit 2012 ka qenë rreth 4.69 për qind, nivel ky që vazhdon të jetë mjaft më i ulët se vendet e rajonit, ku sillet rreth 25 për qind, si dhe të normës së penetrimit në shtetet e BE-së që është rreth 40%.

Në raportin e ARKEP potencohet se tregu i telefonisë fikse në Republikën e Kosovës po zhvillohet me ritme tejet të ngadalësuara, porse dukuri e njëjtë po ngjan edhe në shtetet rajonale dhe ato evropiane gjatë viteve të fundit, ku është vërejtur një ngadalësim, e sidomos në rritjen e penetrimit dhe të të hyrave të përgjithshme.

Sipas Autoritetit, operatori dominant i telefonisë, Postë Telekomi i Kosovës (PTK) ka mbi 94 për qind të tregut për nga numri i përdoruesve, përkatësisht 96 për qind në bazë të të hyrave të realizuara përmes ofrimit të këtyre shërbimeve, gjersa operatori alternativ i shërbimeve të telefonisë fikse, IPKO ka shënuar rënie të lehtë sa i përket numrit të përdoruesve dhe të të hyrave që aktualisht rezulton me pjesëmarrje në treg prej 6 për qind të numrit të përdoruesve, respektivisht 4 për qind për nga të hyrat.

“Kjo dukuri mund të jetë rezultat i zëvendësimit dhe trendit gjithnjë në rritje të përdorimit të telefonisë mobile në raport me telefoninë fikse. Po ashtu, ofertat me tarifa shumë të leverdishme nga operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të telefonisë mobile, kanë ndikuar që konsumatorët të zëvendësojnë shërbimet e telefonisë fikse me ato të telefonisë mobile”, thuhet mes tjerash në raport.

Ndërsa, nëse krahasohen të hyrat nga trafiku i telefonisë fikse në fundin e vitit 2012, në raport me atë 2011, mund të vërehet se trafiku i telefonisë fikse ka shënuar rënie të ndjeshme prej afro 13.29 për qind.

Përndryshe, Autoriteti deri më tani ka licencuar tre operatorë për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese fikse në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Operatorët e licencuar janë; Telefonia Fikse (Telekomi i Kosovës TiK), e licencuar me datën; 30/07/2004,IPKO Telecommunications LLC, e licencuar me datën; 08/09/2006, dhe KONET, e licencuar me datën; 02/02/2009.

Të hyrat vjetore

17.3 milionë euro në vitin 2012
20 milionë euro në vitin 2011
20 milionë euro në vitin 2010

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)