Të hyra nga telefonia mobile bien pë 11 milionë euro
Prishtinë, 18 qershor - Mbi 10 milionë euro kanë rënë të hyrat e operatorëve të telefonisë mobile në Kosovë gjatë vitit 2012, krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP), e të cilin e ka siguruar gazeta Zëri operatorët e telefonisë mobile në Kosovë gjatë vitit 2012 kishin të hyra prej 188.2 milionë euro, gjersa një vit më parë të hyrat e tyre ishin 199.2 milionë euro, ku vërehet një rënie prej 5,54 për qind.
Përveç të hyrave, gjatë vitit 2012 vërehet edhe një rënie e lehtë e investimeve në telefoninë mobile në vend.
Investimet e regjistruara nga operatorët e shërbimeve të komunikimeve elektronike për vitin 2012 kapin shifrën prej afro 36 milionë euro, e që shënon një rënie krahasuar me vitin e kaluar, ku investimet kanë kapur shifrën prej mbi 38 milionë euro. Pjesën dërrmuese të investimeve e përbën segmenti i telefonisë mobile me afro 67,40 për qind, ndërsa pjesën tjetër të mbetur e përbëjnë investimet në infrastrukturën fikse, të cilat përdoren edhe për ofrimin e shërbimeve të internetit, thuhet në raportin vjetor të ARKEP-it.
Por, përkundër rënies së të hyrave dhe investimeve, numri i përdoruesve të telefonisë mobile në Kosovë është ngritur për 12,5 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Në raportin vjetor të ARKEP-it, thuhet se numri i përdoruesve të telefonisë mobile ka arritur në shifrën prej 1.663.844, e që paraqet një rritje prej 284.900 përdoruesish, ose shprehur në përqindje paraqet një rritje prej 12,5 % në krahasim me vitin 2011.
Mirëpo, këtë rritje nuk e ka përcjellë edhe trafiku i origjinuar nga rrjetet mobile, i cili në total ka shënuar rritje prej 1,5 %. Në anën tjetër, trafiku total në ardhje në rrjetet mobile ka pësuar rënie të konsiderueshme prej 14 %, rënie edhe më e theksuar vërehet në segmentin e trafikut të thirrjeve ndërkombëtare në ardhje, e cila gjatë vitit 2012 ka shënuar një rënie prej 58.8 milionë minuta, përkatësisht rënie prej 18 % në krahasim me vitin 2011. Zvogëlimi i trafikut ndërkombëtar në ardhje ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e të hyrave në këtë segment të sektorit, thuhet në raport.
Sipas ARKEP-it, kjo rënie është pasojë e zhvillimit të teknologjisë dhe rritjes së përdorimit të telefonave të mençur, më konkretisht aplikacioneve të ofruara nga ofruesit.
Sipas raportit vjetor të ARKEP-it, shihet se përgjatë vitit 2012, trendi i numrit të përdoruesve të telefonisë fikse ka rënë në 81.603 përdoruesish ose rënie prej rreth 5%. Pjesa prej 75.634 i takon PTK-së, ndërsa pjesa tjetër prej 5.969.
Por, derisa telefonia mobile dhe ajo fikse kanë rënie të të hyrave, të hyrat nga ofrimi i shërbimeve të internetit kanë pësuar rritje me një vit më parë. Të hyrat nga ky shërbim gjatë vitit 2012 ishin në vlerë prej 19.7 milionë ero, që paraqet një rritje prej 6,18 për qind në raportin me vitin paraprak. Po ashtu, sipas raportit të ARKEP-it shihet se të hyrat nga ofrimi i televizioneve kabllore ishin prej 13.1 milionë euro.
Telefonia mobile 3373 të punësuar
Sipas raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP), shihet se numri i të punësuarve me kontrata të rregullta pune nga operatorët dhe ofruesit e shërbimeve telekomunikuese të licencuar deri në vitin 2012 ishte rreth 3.373, ku 27 % të tyre janë të gjinisë femërore, ndërsa 73 % janë të gjinisë mashkullore.
Operatori me numrin më të madh të të punësuarve vazhdon të jetë operatori publik, PTK, me rreth 72 % të gjithë të punësuarve në sektorin e KE.
/Zëri/