Të gjitha shërbimet publike në Dukagjin paguhen në Postë
Pejë, 18 gusht - Faturat për të gjitha shërbimet publike qytetarët e rajonit të Dukagjinit mund ti paguajnë në një vend të vetëm, pa provizion, në zyrat postare të Postës së Kosovës.
Posta e ka bërë të mundshme që në komunën e Pejës, Deçanit, Junikut, Klinës, Istogut, etj, secili qytetar të mund të paguajë në zyra postare faturat e rrymës, ujit të pijshëm, mbeturinave, pastaj pagesat e ndryshme për universitetin publik, gjobat në trafik, kontributet për ATK-në, taksa gjyqësore, tatimin në pronë, dokumentet civile, licenca të ndryshme, pagesa për regjistrim dhe polica të automjeteve, etj.
Një prej prioriteteve të Postës së Kosovës ka qenë që zyrat postare të bëhen arka ku qytetari mund të paguajë për çdo lloj shërbimi publik dhe kjo tashmë është arritur jo vetëm në Dukagjin por edhe në pjesën më të madhe të Kosovës, ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha.
Në kuadër të kësaj, ai ka nënshkruar sot marrëveshjen me kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini, Agron Tigani. Tash e tutje banorët e të gjitha komunave të Dukagjinit mund ti paguajnë edhe faturat e ujit në zyrat postare, të cilat janë të shtrira edhe në vise rurale.
Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave Ambienti, Nexhat Abdullahu. Me këtë kompani Posta e Kosovës ka arritur marrëveshje muajin e kaluar, ndërkaq sot është vlerësuar se kjo marrëveshje është duke u zbatuar me sukses.
Udhëheqësit e tri ndërmarrjeve publike u shprehën të kënaqur që u kanë mundësuar qindra mijëra qytetarëve të kenë shërbime publike më afër, më cilësore dhe më efikase.
Ata besojnë se mundësia e pagesave në Postën e Kosovës do të ndikojë që numri i qytetarëve që paguajnë rregullisht për ujin dhe mbeturinat të rritet edhe më shumë.