Të gjitha rrugët në Komunën e Klinës janë të kalueshme
Klinë, 22 janar - Bora që ka rënë gjatë dy ditëve të fundit, ka shkaktuar telashe në lëvizjen e automjeteve, sidomos në zonat malore të Komunës së Klinës, ku trashësia e borës ka kaluar 15 cm.
Ngricat e natës së mbrëmshme, kanë shkaktuar shtresa të akullit në rrugë gjë që e ka bërë më të vështirë lëvizjen.
Por, kompania e kontraktuar nga Komuna e Klinës, ka intervenuar në ato lokalitete, ku ka qenë më e nevojshme dhe rrugët janë bërë të kalueshme, megjithatë nga ngasësit e automjeteve doemos kërkohet të kenë kujdes të shtuar.
Po ashtu edhe pajisjet dimërore janë më se të nevojshme. Gjatë ditës së sotme është raportuar se në të gjitha rrugët lëvizët lirshëm dhe nuk ka telashe.
Iber Elezaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, tregon se kompania për pastrimin e rrugëve ka dalë në terren gjatë dy ditëve të vikendit për të pastruar rrugën, duke mundësuar lëvizje më të lehtë të qytetarëve.
Ai tregon se edhe gjatë paraditës së sotme, tre kamionë janë në terren në pastrimin e rrugëve, ku janë krijuar shtresa akulli. Inspektorët komunal janë në terren dhe nga afër po përcjellin pastrimin e rrugëve.
“Falë intervenimit të shpejte të Komunës, të gjitha rrugët janë të kalueshme”, thotë Elezaj.
Është intervenuar në pastrimin e rrugëve, në Sferkë, Volljakë, Perqevë, Bokshiq, Këpuz, Shtupel, Kërrnicë, Ranoc, Leskoc, Budisalc, Jashanicë, Siqevë, Ujmirë, Dobërdol, Zabergjë, Caravikë dhe lokalitete tjera që ka qenë e nevojshme.â