Të gjitha rrugët e Komunës së Klinës të kalueshme
Klinë, 5 janar - Bora që ka filluar të bie në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Komunën e Klinës në disa fshatra ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Por Komuna e Klinës ka njoftuar se me intervenimin e autoriteteve komunale përmes kompanisë së kontraktuar, rrugët janë bërë të kalueshme në zonat urbane dhe rurale.
\"Që në orët e hershme të mëngjesit Kompania e kontraktuar nga Komuna ka intervenuar në pastrimin e rrugëve të Sferkës, Volljakut, Dushit, Ujmirit, Jashanicës, Siqevës, Dobërdolit, Çabiqit, Kpuzit, Qeskovës, Shtupelit e rrugë të tjera si dhe në qytetin e Klinës.\"
\"Në terren kanë dalë edhe zyrtarët komunalë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me inspektorë, të cilët nga afër po përcjellin gjendjen\", thekson komuna e Klinës.
Katër kamionë janë duke punuar pandërprerë në pastrimin e rrugëve në të gjitha pjesët e Komunës së Klinës sidomos në zonat malore, ku në mëngjes është raportuar për sasi më të madhe të borës.
Komuna është në gjendje gatishmërie për të intervenuar aty ku është e nevojshme për të krijuar lehtësi në lëvizjen e qytetarëve.
Si rezultat i intervenimit të shpejt, të gjitha rrugët si në qytet po ashtu edhe pjesët rurale janë plotësisht të kalueshme. Zyrtarët komunalë apelojnë te shoferët e automjeteve që të mos dalin në rrugë pa pajisje dimërore dhe të kenë kujdes në ngasjen e automjeteve.