Tarifat me të larta të romingut ne Ballkanin Perendimor
Prandaj përfaqësuesit e këtyre vendeve duhet të krijojnë një zonë të tarifave të Ballkanit, ose të integrohen në Eurotarifa. Kështu kaanw deklaruar të martën në një konferencë të organizuar nga Instituti GAP, ku u prezantua një analizë përkitazi me këtë cështje.
Jeton Mehmeti, nga Instituti GAP, ka deklaruar se tregu i telefonisë mobile ka pasur një zhvillim të hovshëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e gjithashtu edhe në Kosovë, ku numri i përdoruesve ka arritur në 1.5 milionë.
Ai ka theksuar se në Kosovë ekzistojnë dy operatorë mobilë, për dallim nga vendet tjera ku ka më shumë së dy sish, gjë që ka mundësuar uljen e çmimeve të telefonisë për thirrje lokale.
Çmimet e thirrjeve nga një vend në tjetrin, apo roming, janë shumë të larta, tarifat e larta të Romingut në Ballkanin Perëndimor janë të rregulluara në atë mënyrë që secili operator vendos tarifa aq sa dëshiron, që do të thotë se nuk ka një standardizim ndërmjet operatorëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka potencuar ai.
Sipas tij edhe Evropa është përballur me probleme të tarifave të larta të Romingut. Por pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, në vitin 2007 është krijuar Eurotarifa, duke kufizuar çmimin me të lartë deri në 49 centë për një minutë.
Prandaj Mehmeti sugjeron që vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë zonën e Ballkantarifës, ose të inkuadrohen në Eurotarifë.
Zona Ballkan-tarifë do të duhej të vlente derisa shtetet e Ballkanit Perëndimor gradualisht të anëtarësohen në BE dhe më pas automatikisht të përdoren Euro-tarifa.
Ndërkaq përfaqësuesi i zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Freek Janmat tha se tarifat nuk ulen vetvetiu nga rritja e konkurrencës, por ato duhet të kufizohen në mënyrë ligjore, siç ka bërë Komisioni Evropian në vendet e Evropës.
Kurse Agim Kukaj, përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe telekomunikacionit dhe Autoritetit Rregullator u pajtuan që të takohen me autoritetet përkatëse të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por theksuan se për këtë nevojitet një mbikëqyrje nga Komisioni Evropian.
Telefonia mobile në Kosovë ka shënuar një shtrirje të shpejtë, posaçërisht nëse e krahasojmë me telefoninë fikse. Deri në fund të shtatorit 2010, numri i abonentëve të telefonisë fikse ka rënë në 88.000 abonentë, nga të cilët 8.000 i takojnë operatorit alternativ IPKO dhe të tjerat Telekomit të Kosovës.
Padyshim, një nga arsyet e kësaj rënie është rritja e abonentëve të telefonisë mobile. Deri në fund të çerekut të tretë të vitit 2010, numri i abonentëve të telefonisë mobile ka arritur në 1.518.059, që paraqet një rritje prej 3.41% krahasuar me çerekun e dytë të vitit 2010, apo një rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009. Industria e telekomunikimit është një ndër industritë më profitabile.
Në Kosovë të hyrat totale nga shërbimet e telekomunikimit në çerekun e tretë të 2010 ishin rreth 40 milion euro, nga të cilat 82% ishte gjeneruar nga shërbimet e telefonisë mobile.
Duke pasur parasysh se vetëm gjatë periudhës korrik-shtator, 7.000 abonentë të rinj u regjistruan në rrjetin e telefonisë mobile, kjo lë të kuptosh se edhe shkalla e penetrimit të telefonisë mobile është po ashtu në rritje.
Deri në shtator 2010 shkalla e penetrimit ka arritur në 74%, një rritje prej 11.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009. Megjithatë, shkalla e penetrimit është ende e ulët krahasuar me vendet e rajonit apo ato të BE-së.