Taksat e autostradave në Evropë sjellin të ardhura në miliarda
Vjenë, 7 nëntor - Në disa vende të Evropës aplikohet një taksë për përdorimin e autostradave. Tani një gjë e tillë mund të bëhet edhe në Gjermani.
Në Austri është në përdorim që nga viti 1997 një taksë për përdorimin e autostradave. Paratë që mblidhen nga kjo taksë përdoren drejtpërdrejt për riparimin e rrugëve, sqaron në bisedë me DW Bernhard Wiesinger, zëdhënës i autoklubit të Austrisë. Modeli austriak me sa duket do të merret si shembull edhe në Gjermani.
Nga taksa për përdorimin e autostradave mblidhen rreth 1,1 miliardë euro. Rreth 400 milionë euro të tjera vijnë nga taksa që mblidhet prej automjeteve të huaja që kalojnë nëpër Austri.
\"Pickerl\" sikurse quhet kjo taksë në gjuhën popullore kushton 80,60 euro për një vit, 24,20 Euro për 2 muaj, 8,30 euro për 10 ditë.
Në Zvicër nuk ka dallime të tilla, dhe kjo taksë është vjetore. Fillimisht në Austri kjo taksë qe parashikuar të ishte provizore, por me sa duket do të vazhdojë të ekzistojë.
Në Itali, Spanjë apo Francë taksa për përdorimin e autostradës varet nga kilometrat. Në Francë, ndryshe nga Austria apo Gjermania autostradat janë në shumicën e tyre private. Pagesa është 7 cent për kilometër.
Por sipas një ligji të vitit 1955 taksa nuk vlen për të gjithë segmentet e autostradave. Fitimet nga taksa shkojnë një pjesë tek pronarët privatë dhe një pjesë përdoret për riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Bernhard Wieland profesor në Universitetin Teknik në Dresden mendon se në Gjermani ku autostradat janë shtetërore nuk mjafton vetëm marrja e sistemit të Francës. Të nevojshme janë studime për orët e pikut në autostrada dhe se cilat prej autostradave shfrytëzohen më tepër.
Sepse vetëm kështu mund të bëhet e qartë se duhen investuar paratë e mbledhura nga taksat. Gjithësesi ai mendon se taksa e bazuar në kilometra është më e mirë se sa modeli kohor që përdoret në Austri.
Bernhard Wiesinger mendon se ideja e Bernhard Wieland është e drejtë në teori, kurse në praktikë do të jenë të nevojshme shumë përjashtime. Prandaj sipas tij modeli i një tarife të tipit fiks, është më i përshtatshëm edhe për Gjermaninë.