25 Dhjetor 2024

Taksa e Autostrades se Kombit 10 euro, grabitje e dyfishtë ndaj shqiptarëve

Kukës, 25 mars - Sot nisi testimi për pagesën që do të ketë për të gjithë ata që do të udhëtojnë në “Rrugën e Kombit”. Katër sportele, dy në hyrje dhe dy në dalje janë gati në “Tunelin e Thirrës” për autoveturat, për të cilat pagesa do të jetë 5 euro në vajtje dhe 5 euro në dalje. Ndërkohë dy sportele do jenë për kamionët dhe autobusët, me tarifa më të larta.

Testimi për vjeljen e tarifës u zhvillua me automjetet e personelit. Janë parashikuar 6 sportele, 4 për autoveturat dhe 2 për kamionët dhe autobusët.

Tarifat e miratuara fillojnë nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat, 11, 2 euro për autobusët dhe kamionçinat e deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë.

Koncensionari thotë se synon të sigurojë mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, por qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës thonë se tarifa është shumë e lartë.

Por vendimi për taksimin e “Rrugës së Kombit” ka hasur në kundërshti sidomos nga ana e banorëve dhe bizneseve të Kukësit, të cilët e përdorin më shpesh këtë aks.

“Është taksë e paligjshme, pasi detyrohen të gjithë shqiptarët, veçanërisht komuniteti kuksian, dy herë për të njëjtin shërbim. Teknikisht është e zgjidhshme: Komuniteti të mos paguaj taksë, derisa të ketë një rrugë alternative”, u shpreh Sokol Kolgjini, kryetar i Shoqatës “Biznesi për Biznesin”

Kompania që do të vjelë taksën thotë se do të ketë lehtësira për banorët e zonës dhe mjetet që udhëtojnë më shpesh në këtë rrugë. Ndërkohë në Tiranë reagoi Kreu i PD, Lulzim Basha.

Shefi i opozitës thotë se kjo tarifë, së bashku me taksen e qarkullimit, është një grabitje e dyfishtë ndaj shqiptarëve që i jep një goditje të rëndë lidhjes së Shqipërisë dhe Kosovës.

Basha premton ta shfuqizojë këtë tarifë që në ditën e parë të PD në pushtet.

Çmimi i lartë i taksës në Rrugën e Kombit, ka ngjallur debat edhe në Kosovë. Zyrtarë të Kosovës, kanë reaguar duke e cilësuar si një vendim jo të mençur e të dëmshëm nga qeveria shqiptare.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Anton Berisha ka thënë se vënia e taksës në rrugën e Kombit është kundër integrimit ndër-shqiptar, si dhe interesave të vetë kombit, ndërsa më të goditur nga ky vendim janë qytetarët e Kosovës.

Thotë se ky vendim do ta dëmtojë edhe Shqipërinë.

Berisha, në një postim në Facebook, është shprehur se kjo tarifë e vendosur edhe ekonomikisht do të jetë kundër shtetit shqiptarë.

Lidhur me këtë edhe sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri ka reaguar për çmimin prej pesë eurosh të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Beqiri këtë e ka quajtur si një vendim jo të mençur e të dëmshëm nga qeveria shqiptare.

Edhe Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli është shprehur kundër vendosjes së taksës për veturat që kalojnë nëpër Rrugën e Kombit.

Avdyli ka thënë se autoritetet e Shqipërisë duhet ta shqyrtojnë edhe një herë këtë çështje. Ai thotë se ideja për tarifën është e mirë, por vlera duhet të diskutohet edhe njëherë.

“Autostradat gjithkund paguhen, dhe është normale që do vinte dita kur edhe këto autostradat tona të kombit do të paguheshin si këto në Shqipëri e Kosovë. Derisa ne si Kosovarë ngado që udhëtojmë në rajon paguajmë për disa rrugë, por asnjëherë nuk u ankuam . Prandaj është më se normale që edhe tjerët të fillojnë të paguajnë për rrugët tona dhe ne të paguajmë në Shqipëri”, thotë Avdyli.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Nisma, Zafir Berisha, taksën e vënë nga Qeveria e Shqipërisë për “Autostradën e Kombit” e ka cilësuar si të lartë.

Ai ka thënë se në lidhje me çmimin e vënë, Qeveria e Kosovës duhet të japë qëndrimin e saj.

“Për shkak të rrethanave social-ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri, taksa në tunelin e Kalimashit është e madhe”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)