Tahiri: +383, në fillim të marsit
Prishtinë, 19 janar - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka vlerësuar se me marrjen e kodit të ri telefonik përfundojnë ndërhyrjet në rrjet si dhe në frekuenca nga Serbia.
Tahiri ka thënë se aktualisht është duke u diskutuar edhe për obligimet tjera, të cilat dalin nga marrëveshja për telekomunikacionin. Ajo ka bërë me dije se në pjesën e parë të muajit mars, pritet që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit tia japë Kosovës kodin telefonik +383.
Marrëveshja për Telekomin e bënë të qartë që vendoset, kufiri frekuencor mes dy shteteve. Deri më tani, Serbia ka ndërhyrë në rrjetin tonë frekuencor , ka ndërhyrë edhe me operatorët ilegal siç e dimë që kanë vepruar në veri. Kjo marrëveshje u jep fund edhe operatorëve ilegalëm, por i jep fund edhe ndërhyrjes në brezin frekuencor të Republikës së Kosovës. Dhe me këtë rast, Kosova ka mundësi ta realizojë planin e digjitalizimit, sipas standardeve ndërkombëtare e që është një plan, i cili pritet të realizohet në të gjitha shtetet e sidomos ato të Evropës Juglindore, ka thënë Tahiri për Radio Kosovën.
Ajo ka hedhur poshtë zërat se funksionimi i operatorit serb në Kosovë cenon aspektet e sigurisë. Fakti që Kosova tash merr kodin e vet të telefonisë ndërkombëtare, ajo do ta administrojë vetë. Dhe, Kosova është ajo, e cila do të përcaktojë edhe shkallën e sigurisë së telekomunikimeve qoftë në telefonin mobile qoftë në atë fikse, çka nuk ka qenë në periudhën e kaluar, ka thënë ajo.
Përveç tjerash, Tahiri ka thënë se edhe operatorët e të dyja shteteve kanë shprehur gatishmërinë që të angazhohen për të arritur një marrëveshje romingu ndërkombëtar si dhe janë diskutuar marrëveshjet e interkoneksionit apo marrëveshjet për ndërlidhje. Kemi pas edhe pjesëmarrjen e operatorëve nga të dyja shtetet të cilat kanë biseduar për mundësitë që të arrihet marrëveshje për një roming ndërkombëtar mes operatorëve të Kosovës, VALA dhe IPKO dhe operatorëve që veprojnë në Serbi e që janë tre operatorë, telekomi i Serbisë, operatori Vip dhe Telenori, ka thënë ajo.
Tahiri ka deklaruar se kanë marrë garanci nga Bashkimi Evropian që mos të ketë pengesa nga ana e Serbisë, siç ka ndodhur në rastin kur shteti serb ka krijuar vonesa rreth regjistrimit të kompanisë së re në Kosovë, duke bërë që të zvarritet procesi.