Studentët vizitojnë Aeroportin dhe kompaninë Limak në Stamboll
Stamboll, 8 prill - Instituti për Shërbime të Aeroportit (Limakasi) i Limak Kosova Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka organizuar në Stamboll një vizitë për studentët e këtij instituti.
Vizita ka pasur qëllim që këta studentë të njihen nga afër me funksionimin e Aeroportit të Stambollit “Sabiha Gokcen”.
Po ashtu, studentët kanë pasur rastin t’i ndjekin ligjërata në Universitetin Boğaziçi, i cili bashkëpunon me Aeroportin e Prishtinës dhe Universitetin e Prishtinës.
Drejtori gjeneral i ANP-së “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk, ka deklaruar se Instituti për Shërbime të Aeroportit (Limakasi), Limak Kosova Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është krijuar me qëllim që të rinjtë e Kosovës të kenë perspektivë më të mirë.
“Qëllimi i ‘Limak’-ut është ta mbështesë popullin e Kosovës dhe të dëshmojë se nuk është në këtë vend vetëm për të bërë biznes, por edhe për të kontribuar dhe të jetë pjesë e komunitetit në të cilin operon”, ka theksuar ai.
Sipas tij, vizita në Stamboll ka për qëllim që studentët të njihen me funksionimin e Aeroportit të Stambollit “Sabiha Gokcen”.
Kurse Arrita Nela, e cila është studente në Universitetin e Prishtinës, por që është përzgjedhur të jetë pjesë e Institutit për Shërbime të Aeroportit Limak Kosova Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka vlerësuar se kjo vizitë është shumë e mirëseardhur për të gjithë studentë që janë pjesë e institutit.
“Që nga fillimi Limak Kosova Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka qenë shumë transparent, pra nuk ka pasur kurrfarë parregullsie. Në fillim janë përzgjedhur studentët nga nota mesatare, pastaj, testi dhe intervista e drejtpërdrejtë”, ka thënë ajo. Sipas saj, të jesh pjesë e këtij instituti është një mundësi e mirë për punësim.
“Ne presim që të jemi pjesë e aeroporti. Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Po mësojmë funksionimin e aeroporteve dhe ligjëratat janë sipas praktikave më të mira moderne. Profesorët nga Boğaziçi Űniversitesi po ligjërojnë praktikat më të mira”, ka thënë ajo.
Edhe studenti tjetër Vigan Qerimi ka thënë se njohuritë që po i mësojnë në këtë institut do të shërbejnë që në të ardhmen të punësohen.
“Ne jemi 30 studentë të Universitetit të Prishtinës të disa fakulteteve. Ne kemi kaluar nëpër disa faza për të ardhur deri këtu”, ka theksuar ai, duke shtuar se pas përfundimit të ligjëratave dhe praktikës presin të punësohen.
Kompania “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka themeluar në nëntor 2014 Institutin për Shërbime të Aeroportit (Limakasi), i cili synon ngritjen profesionale dhe të kapaciteteve të studentëve nga Kosova që të aftësohen në punën e menaxhimit të aeroporteve dhe të punësohen edhe jashtë Kosovës.
Themelimi i Limak Institutit për Shërbime të Aeroportit është angazhimi i dytë i Grupit “Limak” në Kosovë pas hapjes së terminalit më modern në Ballkan, atij të Limak Kosova Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në vitin 2013.