Stabilizohet gjendja në rrugët e Mitrovicës

Mitrovicë, 12 shkurt - Situata e përgjithshme në rrugët e Komunës së Mitrovicës, pas reshjeve të fundit të borës dhe vërshimeve, është përmirësuar dukshëm.
Të gjitha rrugët janë të kalueshme, ndërkohë që ka intervenime të shpeshta të kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve në zonën e Shalës së Bajgorës, për shkak të telashe që paraqiten si pasojë e fërfëllizës që mbretëron atje herë pas here.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se në Shalë, po ka nevojë për intervenime më të shpeshta, gjë që edhe po e bënë Kompania Eurondërtimi, e nënkontraktuar për këtë zonë.
Ndonëse në qytet rrugët janë të pastruara, në viset rurale ende kemi borë, kështu që këto ditë kemi pas intervenime më të shpeshta në zonën e Stan Tërgut, Melenicës, Pretenit dhe Vllahisë, pastaj në disa lagje të fshatit Bare, në fshatin Bajgorë, për shkak të ortekëve që janë krijuara nga fërfëlliza. Mirëpo, por falë punës së nënkontraktuesit, të gjitha rrugët janë të kalueshme, tha Dragaj.
Ndërkaq, sa i përket situatës pas vërshimeve që ndodhën gjatë fundjavës, ai tha se edhe në këtë drejtim situata është më e mirë, pasi që lumi Sitnica, i cili pati dalë nga shtrati, është kthyer në rrjedhën e vet dhe është tërheq nga pjesët e vërshuara.