SPRTK: Kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes e Shales është skandaloze
Prishtinë, 8 dhjetor - Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së reagon ashpër ndaj kërcënimit të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala ndaj kryetarit të Sindikatës së Pavarur, Fadil Hoxha dhe përfaqësuesve sindikalë të punëtorëve të RTK-së.
Kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes e z. Shala është veprim skandaloz dhe i paprecedent.
Kjo formë e komunikimit e një eprori ndaj punëtorëve të vetë, përveç që shpërfaq ligësinë e një menaxheri, nuk do të arrijë të prodhojë kurrëfarë efekti pasi e drejta dhe e verteta gjithmonë do të ngadhënjejnë mbi padrejtësinë dhe tendencën për frikësim.
Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së ia bën me dije z. Shala se asnjë kërcënim nuk do të arrijë ti ndalë sindikalistët për realizimin e misionit të tyre, për mbrojtjen pa kusht të të drejtave dhe interesave të punëtorëve të cilat si asnjëherë më parë janë duke u shkelur në RTK nga drejtuesit e saj.
z. Shala për gjuhën e tij kërcënuese, etiketuese, shpifëse dhe urrejtëse do të përballet me fuqinë e ligjit konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Konventave Ndërkombëtare dhe Ligjit për Organizim Sindikal.