SPRTK: Bordi i RTK-së synon të legjitimoj pagat e dyfishta klienteliste
Prishtinë, 8 mars - Sindikata e Pavarur e RTK-së shpreh shqetësimin për mungesën e transparencës së Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së në hartimin e rregullativës së brendshme ligjore.
SPRTK është njoftuar përmes burimeve të saj se drejtuesit e RTK-së kanë hartuar disa draft-rregullore përfshirë Rregulloren për Shpërblime, përmes së cilës synohen të legjitimohen pagat e dyfishta klienteliste, në kohën kur RTK përballet me probleme të mëdha financiare.
Këto paga, në formë të aneks-kontratave, janë marr prej vitesh, në mënyrë të kundërligjshme, kryesisht nga bashkëpunëtorët e ngushtë të menaxhmentit, duke i shkaktuar humbje të mëdha buxhetit të RTK-së.
SPRTK si përfaqësuese e interesave të punëtorëve nuk është njoftuar dhe as nuk është ftuar fare në procesin e hartimit të rregulloreve.
\"Një injorim i tillë po ndodhë prej kohësh në kundërshtim me Ligjet e Republikës së Kosovës, të cilat garantojnë përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të punëtorëve\", thekson SPRTK.
Sindikata përkujton drejtuesit e RTK-së, në veçanti kryetarin e Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti, se rregulloret e brendshme të RTK-së miratohen për punëtorët dhe se çdo përpjekje për anashkalimin dhe injorimin e përfaqësuesve të tyre sindikalë dhe grupeve të interesit është e papranushme dhe në kundërshtim me vlerat dhe standardet evropiane të qeverisjes.
Sindikata e Pavarur e RTK-së kërkon nga Kuvendi, gjegjësisht nga Komisioni Parlamentar për Medie dhe ai për Buxhet e Financa, si organe rregullative mbikëqyrëse të RTK-së, që të marrin masa për sigurimin e transparencës dhe përfshirjen e të gjitha palëve të interesit në draftimin e rregulloreve.
\"Kujtojmë se kohëve të fundit, Bashkimi Evropian dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë kanë shprehur brengosje për mungesë transparence në amandamentimin e ligjit për RTK-në, duke kërkuar debat publik për rregullativën ligjore të Transmetuesit Publik\", thekson SPRTK.
RTK ka një kohë të gjatë që po përballet me parregullësi dhe probleme të mëdha financiare dhe ligjore si pasojë e keqmenaxhimit.