Sot skadon afati për rikthimin në punë të krye sindikalistëve të RTK-së
Prishtinë, 15 prill - Sindikata Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (SPRTK) ka njoftuar se bazuar në rekomandimet e Kuvendit të Kosovës, dhe në premtimin e bordit të RTK-së, presim që ky organ mbikëqyrës i transmetuesit publik të vendos për rikthimin në punë dhe pa kushte të kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha dhe nënkryetarit Arsim Halili në afatin e paraparë, që skadon sot.
Vendimi për rikthim në vendet e punës sipas SPRTK do të ishte hap i parë dhe esencial drejt zgjidhjes së problemeve për vendosjen e normalitetit në transmetuesin publik.
\"Në të kundërtën, ne do të detyrohemi që të vazhdojmë me veprime të tjera sindikale për realizimin e kërkesave tona.\"
\"Poashtu, ritheksojmë qëndrimin e shprehur qartë, shumë herë, se kauza jonë është tërësisht profesionale dhe parimore, siç e kemi dëshmuar me raste konkrete ndërsa dënojmë tendencën e menaxhmentit apo të kujdoqoftë tjetër për t`i dhënë kësaj çështjeje konotacion politik dhe për tu përdorur për agjenda politike\", thekson SPRTK.
\"Ne rikonfirmojmë se do ta mbrojmë dinjitetin tonë njerëzor e profesional në çdo rrethanë dhe na duhet mbështetja e të gjithë taksapaguesve pa dallim, ndaj të cilëve jemi të thirrur ti informojmë drejtë dhe në mënyrë të paanshme.\"