Sot shënohet dita pa makina
Prishtinë, 22 shtator - Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë shënojnë sot Ditën pa Makina me ç'rast disa rrugë të Kryeqytetit do të jenë të mbyllura për qarkullim prej orës 11:00 deri në 18:00.
Kjo iniciativë inkurajon qytetet që të prezantojnë dhe të promovojnë masa të qëndrueshme të transportit dhe t'i ftojnë njerëzit të provojnë alternativa tjera të lëvizjes kundrejt përdorimit të automjeteve.
Sot shumë qytete pjesëmarrëse krijojnë një ose disa zona vetëm për këmbësorë, çiklistë dhe transport publik, për një ditë të tërë.
Së bashku, ecja dhe çiklizmi janë mënyra aktive të lëvizjes, të rëndësishme për të ardhmen e qyteteve tona në të gjithë Europën. 50 vjet më parë, ecej ose çiklohej vetëm nëse nuk mund të përballohej blerja e një automjeti. Tani, qytetet e Europës nuk mund të lejojnë më varësinë në automjete.
Përfitimet Shëndetësore
Çiklistët jetojnë mesatarisht dy vjet më shumë se jo-çiklistët dhe marrin 15% më pak ditë pushimi nga puna për arsye shëndetësore. 25 minuta ecje e shpejtë në ditë shton deri në shtatë vjet jetë.
Përfitimet Mjedisore
Një udhëtar që udhëton 8 km me biçikletë për në punë, katër ditë në javë, shmang 3220 km udhëtim me automjet në vit, kursen 380 litra benzinë dhe emeton 750 kg më pak CO2.
Një person që i zëvendëson pesë udhëtime nën 2 km në javë, kalon pra prej përdorimit të automjetit në ecje, zvogëlon gjurmën e karbonit për 86 kg në vit.
Njerëzit në automjete zakonisht përballen me nivele të ndotjes dy herë më të larta sesa nivelet e ndotjes me të cilat përballen këmbësorët dhe çiklistët.
Dallimi është kryesisht për faktin se një mjedis i mbyllur (siç është brenda një automjeti) është i prirur për një përqendrim më të lartë të ndotësve në ajër sesa një mjedis me ajër të hapur.
Për më tepër, pasi çiklizmi është shpesh mënyra më e shpejtë e lëvizshmërisë në zonat urbane – veçanërisht gjatë periudhave kulmore – çiklistët kalojnë më pak kohë në trafik dhe si të tillë preken më pak nga ndotja.
A i mund ndotja e ajrit përfitimet shëndetësore të çiklizmit dhe ecjes? Jo, përfitimet shëndetësore i tejkalojnë rreziqet. Studimet tregojnë se përfitimet shëndetësore të çiklizmit dhe ecjes zvogëlohen pas 7 orësh çiklizmi ose 16 orë ecje në një mjedis të ndotur urban.
Përfitimet Sociale
Njerëzit që jetojnë në një rrugë përmes së cilës nuk kalon trafik i motorizuar, i njohin dhe i mbështesin fqinjët e tyre në një masë shumë më të madhe se njerëzit në rrugë me trafik të ngjeshur.
Transporti më pak i motorizuar në zonat urbane dhe mënyrat aktive të lëvizjes mund të përmirësojnë lidhjet sociale dhe të forcojnë ndërveprimin midis fqinjëve. 20 njerëz mund të ecin në hapësirën që e zë një automjet.
Ecja është një pjesë thelbësore e pothuajse të gjitha udhëtimeve të transportit publik, kështu që transporti publik përfiton nga infrastruktura e përmirësuar e këmbësorëve.
Përfitimet e Sigurisë
Përfitimet shëndetësore të çiklizmit tejkalojnë rreziqet e sigurisë 20 me 1. Prezenca më e madhe në numër e këmbësorëve dhe çiklistëve e bëjnë më të sigurt ecjen dhe çiklizmin.
Ky fenomen shpjegohet nga pritja e shtuar e shoferëve për të takuar këmbësorë dhe çiklistë në trafik. Për shembull, rreziku i incidentit gjatë ecjes, në një komunitet me dyfish më shumë ecje, zvogëlohet për 66%.
Ekspertët pajtohen që ne duhet të ecim të paktën 6,000 hapa në ditë për të përmirësuar shëndetin tonë dhe 10,000 për të humbur peshë. Tingëllon shumë, por duke ecur në punë dhe duke qëndruar aktiv gjatë gjithë ditës, ata hapa bëhen shpejt.
Përfitimet Ekonomike
Rrugët më miqësore për këmbësorë dhe çiklistë çojnë në përfitime të prekshme ekonomike për dyqanet vendore, restorantet, etj.
Ka shumë shembuj ku qetësimi i trafikut të motorizuar, zvogëlimi i hapësirave të parkimit ose mbyllja e një rruge për automjete, rezultojnë në benefite për bizneset vendore.
Drejtuesit e automjeteve shpenzojnë mesatarisht vetëm 53.7% të kohës së kaluar nga këmbësorët në dyqanet vendore.
Çiklistët kalojnë më shumë kohë në dyqanet vendore sesa drejtuesit e automjeteve: mesatarisht 60.4% të kohës së kaluar nga këmbësorët në dyqanet vendore. Këmbësorët dhe çiklistët kanë tendencë të hyjnë në dyqanet vendore më shpesh sesa shoferet e automjeteve.
Përveç përfitimit ekonomik për bizneset vendore, lëvizshmëria aktive sjell edhe kursime të konsiderueshme për individët.
Një studim belg zbuloi se banori mesatar i Brukselit që zëvendëson një automjet me biçikletë, do të kursente 2,853 € çdo vit. Kjo shumë përfshin koston e mirëmbajtjes, taksave dhe karburantit.