Sot përurohet segmenti i dytë i autostradës Vërmicë - Merdare
Pjesa prej 61 kilometrash e autostradës në pjesën e Kosovës, nga Vërmica në Gjurgjicë të Malishevës, prej sot do të lëshohet në qarkullim dhe do të jetë e kalueshme për të gjithë qytetarët që duan të marrin pjesë në Festën e Flamurit në Shqipëri.
Autostrada Durrës Kukës Morinë Merdar, projekti më madhor në historinë e shqiptarëve vlerësohet i rëndësishëm në shumë dimensione, si atë politik, po ashtu edhe ekonomik e shoqëror.
Të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të marrin pjesë në festën e Flamurit në Shqipëri, do të mund të udhëtojnë përmes kësaj autostrade moderne, që tani ka 60.4 kilometra. Qeveria e Kosovës ishte zotuar se ky segment do të përfundonte dhe do të lëshohej në qarkullim para festës së pavarësisë së Shqipërisë. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, thotë për Radio Kosovën po e mbajnë premtimin e dhënë.
Konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka, që filloi punimet në autostradën e Kosovës në vitin 2010, ka punuar intensivisht në këtë projekt të madh infrastrukturor. Për rreth dy vjet e gjysmë, ka arritur të ndërtojë pesë seksione të kësaj autostrade, duke asfaltuar rreth 61 kilometra.