Sot nënshkruhet kontrata për Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit
Prishtinë, 1 korrik - Ministria e Infrastrukturës dhe kompania Bechtel Enka, sot do të nënshkruajnë kontratën për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Një burim brenda qeverisë së Kosovës, i ka thënë gazetës Epoka e re se, të gjitha procedurat ligjore janë kryer dhe sot pritet të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Qeveria e Republikës së Kosovës të hënën ka miratuar vendimin për miratimin e rekomandimeve të Komitetit Drejtues Ndërministror për ndërtimin e Autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.
Me këtë vendim ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës që ta nënshkruajë kontratën për ndërtimin e Autostradës Prishtinë - Hani i Elezit dhe gjithashtu obligon të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse të Republikës së Kosovës ti ndërmarrin të gjitha veprimet konform detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi për zbatimin e këtij vendimi.
Kryeministri Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook ka shkruar dje se po vazhdojnë me Misionin e Ri për ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e vendit.
Qeveria sapo e aprovoi rekomandimin për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup. Vazhdojmë me Misionin e Ri, ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e Kosovës dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ka shkruar Thaçi në Facebook.