Sindikata: PTK mos të përdoret për planifikim të buxhetit
Prishtinë, 17 mars - Sindikata e pavarur e PTK-së përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se kundërshton tendencën që të përdoret shitja e PTK-së si bazë për planifikim të buxhetit nga ana e qeverisë, duke e futur në buxhet shumën 300 milion euro, para marrjes të vendimit të parlamentit për shitje të PTK-së.
Planifikimi në këtë formë i buxhetit është presion i drejtpërdrejtë në deputet që pas votimit të buxhetit, përkundër bindjeve të tyre lidhur me shitjen e PTK-së, të votojnë për shitje të PTK-së, thuhet në njoftim.
Meqenëse deputetët shprehin vullnetin e popullit, presionet në deputet sipas sindikates nënkuptohen si presione në shprehjen e lirë të vullnetit të popullit.
Prandaj ne kërkojmë që të ndalen të gjitha format e presioneve në deputet ashtu që ata që nëpërmes votës të popullit e kanë fitua besimin që ta përfaqësojnë popullin, të shprehin pa presione vullnetin e popullit.
Gjithashtu SP e PTK-së është thellë e indinjuar dhe reagon ashpër kundër deklaratave të pabazuara të ministrit Besim Beqaj lidhur me arsyetimin e shitjes të PTK-së.
Për neve është e paqartë se në të cilat fakte është bazuar ministri kur thotë se me shitjen e PTK-së do të rritet numri i punësuarve në këtë ndërmarrje. Ne kemi fakte të pakontestueshme se në asnjë rast kur janë privatizuar telekomet në shtetet përreth si në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni etj, nuk ka pas rritje të numrit të punësuarve por ka ndodhë e kundërta ka pas zvogëlim të vazhdueshëm të numrit të punësuarve.
Konkretisht në Kroaci nga 12000 të punësuar sa kishte telekomi kroat para privatizimit ,pas privatizimit kanë mbet në punë 6000 punëtorë, në telekomin Hungarez gjendja e punëtorëve ishte edhe më e keqe sepse nuk kishin kontratë kolektive, kurse në telekomin Sllovak, 80% të punëtorëve ishin larguar pas privatizimit nga puna.
Rezultatet pozitive financiare dhe rritja e fitimeve, shtimi i numrit të punëtorëve për 6 mujorin e dytë të viti 2010 në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2010 është treguesi më i mirë se PTK-ja është fitimprurëse, me perspektivë është resurs strategjik i Kosovës, ashtu që nuk ka asnjë arsye dhe nuk duhet të shitet.
Në vazhdën e përpjekjeve tona për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të PTK-së i japim përkrahje iniciativave dhe zhvillimeve pozitive në PTK prandaj kërkojmë nga qeveria që të anulojë vendimin e sajë me të cilin janë bllokuar projektet e planifikuara me biznes plan për vitin 2010-2015 ashtu që PTK-ja të zhvillohet pa pengesë të rrisë kapacitetet e veta , cilësinë e produkteve dhe në këtë mënyrë të përfitojnë qeveria dhe populli i Kosovës.