Sindikata kundër kontratave të reja me kosto të lartë financiare në RTK
Prishtinë, 20 shkurt - Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit te Kosovës (SPRTK) ka reaguar ashpër kundër kontratave të reja me kosto të lartë financiare, të lidhura nga menaxhmenti i RTK-së me producentë të pavarur.
Kryetari i SPRTK-së, Fadil B.Hoxha ka deklaruar se SPRTK në vazhdimësi ka alarmuar rreth blerjeve pa kontrollë dhe pa mbulesë financiare të cilat po e dëmtojnë RTK në shkallë të pariparueshme.
Madje si Sindikatë kanë kërkuar që në kuadër të ligjit të ri kjo praktikë e dëmshme për RTK-në të ndalohet.
Hoxha ka thënë se me këto veprime drejtuesit e RTK-së po shpërfaqin hipokrizinë e tyre, duke u ankuar në njërën anë për mungesë të financave si pasojë e moszgjidhjes së çështjes së financimit, e në anën tjetër çdo ditë e më shumë hynë në obligime të reja financiare.
"RTK nuk mbrohet me retorikë boshe siç po e bëjnë disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, por me veprime konkrete që avancojnë statusin e Transmetuesit Publik."
"Përmes përfshirjes së familjarëve të tyre në projekte audiovizive të financuara nga buxheti i RTK-së, vendimarrës nga politika po e rrezikojnë seriozisht funksionalitetin e RTK-së, konsideron me tutje Hoxha.
Është e pakupitmtë që RTK të realizojë kaq shumë blerje të produkteve të jashtme televizive, derisa ka rreth 1 mijë të punësuar.
Politikat programore të RTK-së sipas SPRTK-së do të duhej të orientohen kah personeli i brendshëm i RTK-së i cili ka përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin e duhur për të prodhuar vetë.
"Të punësuarit e RTK-së në vend se të përkrahen e të motivohen në punën e tyrë, përkundrazi ndaj tyre po ushtrohet presion si në aspektin e termineve, kohezgjatjes së emisionit, duke i sjellur kështu ata në situatë diskriminuese në raport me emisionet e blera."
"Po ashtu, presion ndaj të punësuarve po ushtrohet me qëllim të detyrimit të tyrë për të nënshkruar kontratatat e blerjeve në cilësinë e autoritetit kontraktues", thekson Hoxha.
SPRTK kërkon nga organet drejtuese të RTK-së, që të distancohen nga këto sjellje ndaj të punësuarve dhe të lihen të lirë ata në ushtrimin e profesionit të tyre konform obligimeve kontraktuale.
Të gjitha këto padrejtësi Sindikata do t'i adresojë në organet përkatësë.
Transmetuesit Publik përfshirë RTK-në sipas SPRTK nuk kanë mundësi financiare por as obligim ligjor që çdo ditë të transmetojnë programe argëtuese të formateve shumë të kushtueshme për buxhetin e tyre.