29 Dhjetor 2024

Sindikata kërkon hetim parlamentar në RTK

Prishtinë, 25 qershor - Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) ka bërë të ditur se po i përcjell me vëmendje diskutimet parlamentare për RTK-në.

SPRTK, fton deputetët që në seancën e sotme ta përkrahin kërkesën e Sindikatës për hetim parlamentar në RTK.

"Parregullsitë e shumta në RTK, si pasojë e keqmenaxhimit, që Sindikata në vazhdimësi i kishte ngritur si shqetësime, tashmë kanë filluar të dalin në sipërfaqe."

"Problemet e mëdha financiare u konfirmuan edhe në raportin e auditorit ku konstatohet se fundi i vitit 2014 e gjen RTK-në me 4.3 milionë euro borxhe", thekson SPRTK.

\"Gjatë 2014-ës, menaxhmenti i RTK-së, ka shpenzuar mbi 800 mijë euro më shumë në krahasim me të hyrat që kishte realizuar për këtë vit\", thuhet në raport.

Gjatë vitit 2014, Menaxhmenti i RTK-së ka huazuar mbi 400 mijë euro kredi në njërën nga bankat komerciale.

Në raportin e auditorit të përgjithshëm, thuhet se pagat e mbi 200 të punësuarve me detyra specifike janë futur në kategorinë e shërbimeve dhe mallrave. 

Një pjesë e madhe e kësaj kategorie janë për shumë vjet, punëtorë të RTK-së.

Në anën tjetër, drejtori gjeneral, Mentor Shala që në fillim të mandatit të tij sipas SPRTK kishte krijuar një kabinet megaloman prej 10 këshilltarësh pa llogaritur këtu drejtorin e Televizionit, dy zëvendës drejtorët dhe drejtorin e kanalit të parë, të dytë dhe drejtorin e radios.

Menaxhmenti i RTK-së, në raportimet para komisioneve parlamentare, nuk ka dhënë përgjigje për çështjet si:

Pse është krijuar ky borxh?

Ndaj kujt është ky borxh, emri i secilës kompani dhe shuma e borxhit ndaj tyre?

Sa do të paguaj RTK ndëshkime për shkak të mospagesës me kohë të këtij borxhi ?

Pse RTK ka shkelur ligjin për RTK-në dhe ligjin për prokurim publik me rastin e blerjeve të veprave audio-vizive pa respektuar proceduarat e tenderit ?

Pse asetet teknike qe nuk janë pronë e RTK-së vazhdojnë të shfrytëzohen për prodhimin e programit të RTK-së?


Sa i kushton buxhetit të RTK-së shfrytëzimi i këtyre pajisjeve teknike? Kush janë pronarët e këtyre pajisjeve?

Pse RTK, vetëm për objektin e Radios, ka mbi 80 mijë euro borxhe ndaj kompanisë së mbeturinave si dhe mbi 10 mijë euro ndaj kompanisë së ujësjellësit?

Pse borxhet e RTK-së ndaj tatimit në pronë janë mbi 23 mijë euro ?

Pse veturat zyrtare të RTK-së për muaj të tërë vazhdojnë të jenë të paregjistruara?

Sa janë ndëshkimet që RTK do të duhej të paguaj për mosregjistrim me kohë të veturave zyrtare?

Pse drejtori gjeneral fsheh shumën e të hollave që ka marr nga buxheti I taksapaguesve kosovarë (shkollim dhe mëditje), pa miratim të bordit për ndjekjen e një kursi në SHBA së bashku me zëvendësën e tij, Elvana Prekazi ?

Në faqen zyrtare të EBU-së, thuhet se vetëm shkollimi dhe aktivitetet sociale, për ndjekjen e një kursi të tillë për dy persona kapin shifrën e rreth 40 mijë eurove.

Pse RTK i ka mbi 200 mije euro borxhe ndaj EUTELSAT- it ?

Pse mbi 60 punëtorë mbahen pa kontrata të rregullta për me shumë se 10 vjet ?

Pse punëtorët e RTK-së përballen me mungesë të kushteve elementare të punës duke filluar nga mungesa e karrigeve e deri te hapësira për punë ?

Këto janë disa nga arsyet që Kuvendi i Kosoves si themelues i transmetuesit publik duhet të përkrah kërkesën e Sindikatës për formimin e një komisioni parlamentar i cili do ta konstatonte gjendjen e përgjithshme në RTK.

Vetëm pas këtij hetimi nga Kuvendi i Kosoves do t’i hapej rruga hartimit të një plani adekuat veprimi i cili do ta shpëtonte RTK-në nga falimentimi.

Sindikata do të jetë e gatshme që ta jap kontributin e saj në këtë drejtim.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)