Sindikata kërkon dështimin e procesit te privatizimit të PTK

Prishtinë, 2 prill - Në mbledhjen e fundit kryesia e Federates Sindikale te Punëtorëve (FSP) të PTK-së unanimisht është shprehur se procesi i privatizimit të PTK-së duhet të ndërpritet.
FSP e PTK-së edhe një herë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërpritet procesi i privatizimit të PTK-së, pasi që pretendojnë se kjo kompani fitimprurëse e cila me fitimet e veta ka kontribuar në zhvillimin e shtetit, vetëm gjatë 5 vjetëve të fundit shtetit të Kosovës i ka dhënë më shumë se 400 milionë euro.
Këtë qëndrim të FSP-PTK-së e rikonfirmon edhe përmes kësaj komunikate, me qenë se është e bindur që më mirë është të ndalet diçka e dëmshme sesa të hulumtohen pasojat e saj në të ardhmen
Prandaj FSP-PTK-ja u bën thirrje vendimmarrësve që ta shpallin dështimin e privatizimit të PTK-së, derisa të krijohen rrethanat volitshme për privatizimin e PTK-së. Gjithashtu kërkon që PTK-së ti lejohet të zhvillojë afarizëm të mirëfilltë, të ndërpritet çdo ndikim negativ i menaxhmentit të PTK-së.
Po ashtu kërkon që në bordin e ardhshëm të drejtorëve të PTK-së të zgjidhen kandidatët me kualitete profesionale dhe jo njerëz të partive politike, dhe me tendenca të nepotizmit.
Gjithashtu kërkon nga qeveria që ti zhbllokojë të gjitha projektet zhvillimore të PTK-së, në mënyrë që PTK-ja të rritet vlera e saj dhe të kontribuojë maksimalisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.