Sindikata informon Avokatin e Popullit për kërcenimet ndaj saj
Prishtinë, 6 mars - Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, sot ka zhvilluar një takim me Avokatin e Popullit, Ilmi Jashari.
SPRTK, i ofroi dëshmi konkrete Jashari me problemet me të cilat po përballen si sindikatë, si pasojë e kërcënimeve, shantazheve dhe fyerjeve nga ana e drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala.
Sindikata, në kuadër të këtij takimi kërkoi nga z.Jashari që të ngre zërin kundër persekutimit sistematik që po u bëhet përfaqësuesve sindikal, dhe të ndikojë që aktivitetet sindikale të ushtrohen pa u penguar nga askush, në përputhje me ligjin për organizim sindikal.
Avokati i Popullit u informua me kërcënimin që drejtori Shala ua bëri punëtorëve dhe përfaqësuesve sindikal të tyre duke i quajtur baktere dhe as qentë nuk i hanë, dhe të kenë kujdes se për çdo baktere ka antibiotik.
Kërcënimet ndaj drejtuesve sindikal janë shtuar sidomos pas takimeve që Sindikata zhvilloi me organizmat vendorë e ndërkombëtarë ku u diskutua për ndryshim-plotësimet në ligjin e RTK-së.