Sindikata i kërkon Kuvendit shkarkimin e drejtuesve të RTK-së

Prishtinë, 25 mars - Sindikata e Pavarur e RTK-së, mirepret debatin parlamentar rreth situatës së përgjithshme në RTK, që do të mbahet në seancën plenare të së nesërmes.
Pas një kohe të gjatë të keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së drejtuesve të RTK-së, më në fund, deputetët e Kuvendit të Kosovës po e kthejnë interesimin kah transmetuesi publik.
SPRTK, uron që ky debat të jetë një nisje drejt normalitetit në Radio Televizionin e Kosovës.
Gjendja në të cilën ndodhet RTK-ja, si pasojë edhe e mosmbikëqyrjes së duhur nga themeluesi i saj, Kuvendi i Kosovës, ka arritur në shkallën alarmante.
Mosinteresimi i deritashëm i Kuvendit të Kosovës dhe mosmarrja në përgjegjësi e shkaktarëve të kësaj gjendjeje, ka bërë që RTK-ja të degradojë në një shkallë vështirë të riparueshme.
Janë shpenzuar miliona euro, pa asnjë garancë për mjete shtesë financiare, duke e zhytur kështu RTK-në obligime të thella, dhe vënë në pikëpyetje funksionalitetin e mëtutjeshëm të saj.
Për më pak se dy vjetët e fundit, janë punësuar qindra persona.
Janë punësuar familjarë të drejtuesve të RTK-se, në shumë raste pa respektuar institucionin e konkursit.
Hapësira programore e RTK-së vazhdon të jepet në shfrytëzim të producentëve të pavarur pa përfillur ligjin për RTK dhe ligjin e prokurimit publik.
Punëtorët e RTK-së përballen me mungesë të kushteve elementare të punës.
Në vazhdimësi janë penguar aktivitetet e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, duke u kërcënuar, shantazhuar dhe shqiptuar masa ndëshkuese ndaj drejtuesve të saj, duke shkelur kështu ligji për organizim sindikal, ligji i punës si dhe çdo normë etike e profesionale.
Është tentuar që të pengohet protesta e organizuar nga redaktorët e lajmeve, e që ishte mbështetur nga Sindikata, duke i urdhëruar punëtorët e sigurimit që ti provokojnë protestuesit dhe mos ti lejonë gazetarët e mediave të tjera të kenë qasje në ambientet ku mbahej protesta.
Raportet vjetore të punës të RTK-së, nuk janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Për parregullësitë në RTK, flitet edhe në raportin e Progresit të Bashkimit Evropian.
Sindikata, u drejtohet deputetëve me kërkesën, që në seancën e nesërme, ti shkarkojnë nga pozita drejtuesit e RTK-së, të cilët janë shkaktarët kryesorë të gjendjes në të cilën ndodhet RTK. Ky vendim do ti hapte rrugën, konstatimit të gjendjes reale në RTK, dhe veprimit për një plan shpëtimi, konform situatës dhe nevojave që do të paraqiten.
Kjo udhëheqësi nuk ka asnjë të drejtë ligjore e morale të vazhdojë të udheheq me RTK-në.