Sindikata e njoftoi OSBE-në për kërcënimin e menaxhmentit te RTK-së

Prishtinë, 21 shkurt - Drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së janë takuar sot me përfaqësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi, është biseduar për draftimin e ligjit për RTK-në, sigurimin e një procesi transparent, përfshirjen e të gjitha palëve në këtë proces dhe zgjidhjen e çështjes së financimit të RTK-së përmes parapagimit, si parakusht për sigurimin e pavarësisë editoriale.
Sindikalistët i njoftuan përfaqësuesit e OSBE-së me gjendjen e përgjithshme në Transmetuesin Publik përfshirë keqmenaxhimin, borxhet milionëshe, ndërhyrjet editoriale, mungesën e kushteve elementare të punës, etj.
Sindikata e njoftoi OSBE-në për kërcënimin, presionin dhe masat ndëshkuese me të cilat po përballen në vazhdimësi punëtorët dhe sindikalistët e RTK-së nga Menaxhmenti, përfshirë reagimin e fundit publik të drejtorit gjeneral, Mentor Shala, i cili, i fyu, denigroi dhe kërcënoi punëtorët e tij, duke i quajtur baktere për të cilat ka antibiotik dhe punëtorë që nuk i hanë as qentë.