Sindikata alarmon për kushte të rënda higjieniko sanitare në RTK

Prishtinë, 25 janar - Sindikata e Pavarur e RTK -se reagon ndaj kushteve të rënda higjienike, jashtë çdo standardi në ambientet e punës në RTK.
Fadil B .Hoxha, Kryetar i SPRTK-së ka thënë së papastërtia për shkak të mosfunksionimit të njësisë së higjienës ka përfshirë çdo hapësirë të punës në RTK, me përjashtim të atyre që shfrytëzohen nga menaxhmenti, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e të punësuarve.
\"Ka një kohë të gjatë që menaxhmenti i RTK-së nuk kujdeset fare për kushtet higjienike-sanitare dhe kushtet e punës në përgjithësi. Për pasojë, pluhuri, grumbullimi i mbeturinave dhe gjendja në tualetet si pasojë e papastërtisë ka arritur në shkallë alarmante\", ka theksuar ai.
Për shkak të papërgjegjshmërise së menaxhmentit sipas tij po rrezikohet përhapja e ndonjë epidemie me pasoja serioze për shëndetin e të punësuarve.
SPRTK në vazhdimësi ka alarmuar për këtë çështje dhe ka kërkuar zvogëlimin e shpenzimeve të pakontrolluara të cilat po rrezikojnë funksionimin e Transmetuesit Publik.
Sindikata kërkon që urgjentisht të funksionalizohet njësia e pastrimit dhe të mundësohet krijimi I një mjedisi të pastër në ambientet e punës.
Në të kundërtën, Sindikata do të jetë e detyruar ti ftoj punëtorët për protestë madje edhe për bojkot të punës, deri në ofrimin e kushteve për punë.