Sindikalistët kërkojnë largimin e Ejup Qerimit
Prishtinë, 14 janar - Kryeshefit ekzekutiv të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimit, po i kërkohet largimi nga pozita, siç thuhet, për shkak të shkeljeve dhe skandaleve të njëpasnjëshme të tij.
Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar nga Sindikata Profesionale e Punëtorëve (SPP) të PTK-së, Ejup Qerimi ka krijuar ambient të diskriminimit, pakënaqësisë me pasoja shumë të mëdha të destabilizimit të dy kompanive, duke injoruar angazhimin, djersën dhe mundin e rreth 1000 punëtorëve të Postës së Kosovës.
SPP po ashtu është deklaruar se ndjen keqardhje për anulimin e vendimit të kryeshefit ekzekutiv nga ana e Bordit të Drejtorëve të PTK-së dhe Aksionari për bonuset e punëtorëve në Vala-s dhe Telekom, ku sipas gjendjes së krijuar tashmë, siç thonë ata, kryeshefi i ka mashtuar edhe punëtorët e PTK-së, për çka si SPP do të kundërshtojnë kthimin e banuseve.
Kryesia e SPP-së për shkak edhe të shkeljeve dhe skandalave të njëpasnjëshme të kryeshefit ekzekutiv Ejup Qerimi, do të kërkojë largimin e tij nga PTK-ja me qëllim të eliminimit të diskriminimit të punëtorëve dhe realizimin e bonusit, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Sipas tyre, Qerimi ka bërë diskriminim e punëtorëve në ndarjen e bonusit në dhjetor të vitit 2012, ka krijuar pakënaqësi ndërmjet punëtorëve, ka bërë destabilizimin e kompanive për shkak të qasjes dhe vendimeve diskriminuese ndaj punëtorëve, ka shkaktuar humbjen e kredibilitetit dhe imazhit të kompanive, ka mungesë të energjisë dhe kapacitetit për menaxhimin e çështjeve ditore operative të PTK-së.
Qerimi, po ashtu, sipas tyre, e ka të pamundur ti mbulojë përgjegjësitë në PTK, duke mbajtur dy pozita në dy institucione, konflikt të interesit të vërtetuar nga Gjykata.