Shyqyri Haxha nderohet me mirënjohje nga artistët kosovarë
Prishtinë, 12 shtator - Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha është nderuar të dielën me një mirënjohje të veçantë nga komuniteti i artistëve kosovarë të mbledhur në Festivalin Kombëtar të Filmit të Shkurtër Nine Eleven Dedication Festival.
Kjo është hera e parë që i është ndarë dikujt një mirënjohje e tillë për përkrahjen e vlerave kulturore e artistike, për kontributin e pamohueshëm dhe promovimin e vazhdueshëm që i është dhënë arritjeve në kulturë, art e film.
Mirënjohjen për kontributin e dhënë, Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së ia ndau Blerim Gjoci, drejtor i këtij festivali gjatë mbylljes solemne të edicionit të tetë të Nine Eleven që është mbajtur në Prishtinë nga 7-11 shtator.
Kjo është një mirënjohje tepër e veçantë dhe i ndahet për herë të parë një kompanie dhe personaliteti që ka bërë aq shumë për promovimin dhe zhvillimin e ngjarjeve dhe evenimenteve kulturore dhe bëhet fjalë pikërisht për Kryeshefin Ekzekutiv të PTK-së, dr. Shyqyri Haxhën, kontributi i të cilit është jashtëzakonisht i madh në përkrahjen dhe realizimin e veprave të njerëzve të artit e të kulturës, theksoi Blerim Gjoci, drejtor i festivalit të filmit të shkurtër Nine Eleven.
Sipas tij, menaxhmenti aktual i PTK-së në krye me Dr. Haxhën, gjithnjë u ka dalë në ndihmë artistëve kosovarë duke ua ofruar mundësinë për ti jetësuar veprat e tyre artistike.
Nga ana e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së duke vlerësuar mirënjohjen e dhënë la të kuptohet se PTK duhet të merret si shembull i mirë nga kompanitë e tjera se si duhet përkrahur e nxitur veprimtaritë kulturore, e veçmas njerëzit e artit e filmit kur dihen vështirësitë e tyre financiare.
Nuk është asnjëherë e vështirë të gjesh mundësi për të përkrahur artistët tanë në synimin e tyre për të kurorëzuar më sukses idetë e tyre artistike, kur dihet përkushtimi i tyre maksimal për promovimin e vlerave të mirëfillta, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha me rastin e pranimit të mirënjohjes.
Posta dhe Telekomi i Kosovës nën menaxhimin e Dr. Haxhës ka bërë më shumë se çdo institucion tjetër në fushën e mbështetjes, promovimit dhe nxitjes së artistëve dhe sportistëve duke përkrahur financiarisht aktivitetet e tyre.
PTK do të vazhdojë të përkrahë dhe ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe mundësitë financiare.