24 Dhjetor 2024

Shtyhet marrëveshja për Telekomin

Prishtinë, 5 qershor - Në parim Serbia është pajtuar që Kosova të marrë kodin e saj telefonik ndërkombëtar, i cili pritet të jetë 383 ose 384, por kërkesa që në shkëmbim të kësaj në Kosovë të licencohet një operator i tretë serb mobil, pa përfillur procedurat ligjore, ka bllokuar përsëri marrëveshjen, deri në një afat të pacaktuar.

Kështu deklaroi Edita Tahiri, cila po udhëheq delegacionin e Kosovës në Bruksel me palën serbe rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve.

Tahiri në një intervistë për “Zërin” shpalos në detaje atë që është diskutuar më 30 dhe 31 maj në Bruksel, rreth telekomit dhe temave të tjera.

Ndërsa njofton se të mërkurën (sot) vazhdon takimet tjera në Bruksel, Tahiri flet edhe për shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për premtimin e heqjes së taksave kufitare.

Sipas saj, në këtë periudhë, me pozitën që ka Kosova karshi Serbisë, nuk mund të bëhet asgjë. Por, ajo tha se me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, do të vijë edhe deri te plotësimi i kërkesave për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Propozim për të operuar me operator virtual

Kur Serbia ka kërkuar që në këmbim të heqjes së pengesave ndaj Kosovës që kjo e fundit të merr kodin e saj ndërkombëtar telefonik, t’i licencohet një operator mobil në Kosovë pa përfillur procedurat, zyrtarët e Prishtinës e kanë refuzuar, por i kanë ofruar atyre një propozim tjetër.

“Sipas ligjeve të Kosovës një operator mobil për t’u licencuar duhet t’i nënshtrohet tenderimit, ndërsa Serbia ka kërkuar që të hyjë në Kosovë pa këto procedura andaj e kemi refuzuar. Por u kemi bërë një propozim i cili mundëson Serbisë që të operojë me një operator virtual, përmes frekuencave të njërës prej dy operatorëve që ka Kosova, “Vala” ose IPKO, sepse kjo mundësi është e lejuar edhe pa tenderim (siç operon Z-Mobile, në kuadër të Vala-s)”, tha Tahiri.

Por, pala serbe ka refuzuar, andaj si përfundim marrëveshja për telekomin është bllokuar për një afat të pacaktuar, dhe në ndërkohë i mbetet Brukselit që të dalë me një propozim tjetër, tha Tahiri. Ajo tregoi po ashtu se Serbia ka propozuar që kodi të merret nga Serbia dhe t’i jepet Kosovës.

“Kosova do të aplikojë për marrjen e kodit drejtpërdrejt në ITU, e nëse vjen puna që këtë ta bëjë përmes një shteti atëherë ai shtet do të jetë Shqipëria e jo Serbia”, shtoi ajo.

Zbatimi i marrëveshjes për veriun, brenda 6 muajve

Këtë muaj, priten vendime të mëdha për të dyja palët, lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku çështja kyçe është shpërbërja e strukturave paralele serbe nga veriu, tregon Tahiri.

“Në takimin e 30 dhe 31 majit, i kemi identifikuar obligimet e të dyja palëve, ku Serbia e ka obligim që të shpërbëjë strukturat paralele serbe nga veriu, ndërsa Kosova paralelisht të bëjë integrimin e individëve në institucionet e sigurisë në Kosovë”, tha Tahiri.

Ndërsa të mërkurën (sot), sipas saj, do të vazhdohet me takime të tjera, që do zgjasin deri në fund të javës. Se si do të hiqen strukturat paralele nga veriu, kjo është përgjegjësi e Serbisë, thotë ajo.

Plani parasheh që e gjithë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve të nisë në qershor dhe të përfundojë brenda 6 muajve, ku përfshihet edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Planet vepruese më në detaje do të kuptohen nga takimet në qershor”, tha ajo.

Për zbritjen e taksave, po lobon edhe Brukseli

Nuk është harruar premtimi që u është dhënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës për zbritjen e taksave në kufi, e cila ka dalë nga marrëveshja e mëhershme mbi lëvizjen e lirë, bën të ditur Tahiri.

“Në vazhdimësi jemi në kontakt me Brukselin në kërkim të përshpejtimit të procesit për zbritjen e taksave për qytetarët e Luginës së Preshevës. Ne kemi propozuar që dy byrotë e sigurimeve të të dyja shteteve të mbërrijnë një marrëveshje mirëkuptimi për tarifat, por pala serbe nga muaji shkurt nuk ka kthyer përgjigje”, tha Tahiri, e cila shtoi se për këtë çështje është personi nga zyra e BE-së në Prishtinë që merret ekskluzivisht me këtë.

Kurse kërkesat e shqiptarëve atje që Kosova të kushtëzojë Serbinë me normalizimin e marrëdhënieve, duke kërkuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë, të njëjta siç i kanë serbët në Kosovë, Tahiri thotë se Kosova nuk është në pozitë të fuqishme për ta bërë këtë.

“Me marrëdhëniet siç i kemi tani me Serbinë, ne mund të bëjmë çfarëdo kërkesa, por sa do t’i realizojë Serbia. Andaj me normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet, do të krijohet edhe perspektiva që të dëgjohen shqetësimet e shqiptarëve atje, sepse ne atëherë jemi më bashkëpunues dhe në pozitë më të fuqishme për t’i shtruar kërkesa shtetit fqinj”, tha Tahiri.

Peci në Beograd do të jetë ambasador

Në takimin e fundit është arritur pajtueshmëri që të nisë zbatimi i marrëveshjes për shkëmbimin e zyrtarëve diplomatë Prishtinë-Beograd, marrëveshje e cila pati dalë nga takimet Thaçi-Dacic.

Kosovën do ta përfaqësojë ambasadori aktual në Suedi, Lulzim Peci, i cili edhe pse në Serbi nuk mund të quhet ambasador, roli i tij megjithatë është i përafërt me të një ambasadori, tha Tahiri.

“Përshkrimi i punës së Pecit në Serbi është si i një ambasadori se detyra e tij është mbroja e interesit të shtetit në kuadër të marrëdhënieve me shtetin tjetër, ndërtimi i bashkëpunimeve dhe mbajtja e kontakteve me klubin diplomatik që vepron në atë shtet”, deklaroi zëvendëskryeministrja.

Peci do të vendoset në Beograd më 17 qershor, njësoj siç do të vendoset edhe zyrtari serb në Kosovë, ndërsa zyrat e tyre do të jenë në kuadër të ndërtesave të BE-së dhe praktikisht veprimtaria e tyre do të jetë sipas standardeve diplomatike për përfaqësim diplomatik. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)