23 Dhjetor 2024

Shtohet përdorimi i avionëve pa pilot

Washington, 11 qershor - Analistë ushtarakë thonë avionët e telekomanduar kanë revolucionarizuar mënyrën se si Shtetet e Bashkuara i zhvillojnë luftërat sot. Sulmet me avionë pa pilot janë duke luajtur një rol në rritje në ushtrinë amerikane.

Ky është një nga 10 mijë avionët e telekomanduara në arsenalin e ushtrisë amerikane, përveç një numri sekret të atyre që operohen nga ana e CIA-s, duke përfshirë atë që kohët e fundit vrau zëvendës komandantin e Al-Kaidës, Abu Jahja al-Libin.

Pakistani është kundër përdorimit të avionëve të telekomanduar mbi territorin tij. Por Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta nuk ka dhënë asnjë shenjë se Uashingtoni do të ndalë përdorimin e tyre kundër terroristëve.

“Ne ia kemi bërë të qartë Pakistanit se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë veten nga ata që mund ta sulmojnë vendin tonë”.

Përdorimi i avionëve pa pilot është me kosto relativisht të ulët. Sulmet e tyre janë të sakta. Këta avionë nuk rrëzikojnë jetën e pilotëve të cilët i drejtojnë ata nga bazat amerikane mijëra kilometra larg.

Në një kohë kur buxheti po zvogëlohet dhe lodhja e publikut amerikan me luftërat po rritet, administrata e presidentit Obama e ka bërë përdorimin e avionëve të telekomanduar një element qendror të strategjisë së saj të re të mbrojtjes.

Mishell Florni është një ish-zyrtare e lartë e Pentagonit dhe arkitekte e kësaj strategjie.

“Sistemet e avionëve pa pilot me kalimin e kohës do të revolucionarizojnë forcat tona. Ne jemi ende në procesin e të kuptuarit se çfarë sjellin ato sisteme në aspektin e mënyrave të reja të veprimit, mënyrave të reja të funksionimit si një ushtri”.

Në një farë mase, ky revolucion po ndodh tani. Efikasiteti i tyre dhe aftësia për t’u vënë në veprim në një kohë të shkurtër e kanë bërë këtë avion armën e preferuar të ushtrisë amerikane për administratën e presidentit Obama dhe për operacionet e zbulimit.

John Brennan është këshilltari kryesor i presidentit Obama kundër terrorizmit.

“Është vështirë të imagjinohet një mjet që mund ta minimizojë rrezikun për civilët se sa avioni i telekomanduar”.

Por protestuesit që janë kundër avionëve pa pilot thonë se përdorimi i tyre nuk është pa rreziqe dhe se vdekjet e civilëve në Pakistan dhe vende të tjera nuk raportohen.

Medea Benjamin druhet se amerikanët mund të bëhen imunë ndaj luftës.

“Problemi më i madh etik me avionët e telekomanduar është se ata e bëjnë vrasjen diçka shumë të lehtë”.

Për udhëheqësit amerikanë, avionët e telekomanduar kanë provuar vlerën e tyre dhe janë e ardhmja e mbrotjes. Aktivistët duan një moratorium deri në miratimin e ligjeve mbi teknologjinë, të cilat do të rregullojnë përdorimin e avionëve të telekomanduar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)