Shtohen masat e sigurisë në trafikun hekurudhor
Prishtinë, 24 nëntor - Ashtu sikurse siguria në trafikun rrugorë edhe siguria në trafikun hekurudhorë është shumë e rëndësishme. Gjate këtij viti nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet nëpër hekurudhat e Kosovës e kjo falë angazhimit të punëtorëve të infrastrukturës hekurudhore Infrakos dhe asaj të trenave Trainkos.
Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Infrakos thotë për Radio Kosovën se janë shtuar masat e nivelit te sigurisë në trafikun hekurudhor.
Hekurudhat e Kosovës udhëhiqen nga dy kompani publike, në atë Infrakos, që merret me infrastrukturën hekurudhore dhe në Trainkos, që operon me trenat dhe transportin hekurudhor.
Kryeshefi Ekzekutiv i Infrakos, Agron Thaçi thotë se janë shtuar masat e sigurisë në trafikun hekurudhorë për shkak të vjedhjeve në infrastrukturën hekurudhore. Një prej masave është edhe angazhimi i vëzhguesve në këmbë.
Këtë vit janë shtuar masat e nivelit të sigurisë. Një ndër masat konkrete është se për shkak vjedhjes në infrastrukturën hekurudhore këtë vit kemi angazhua staf shtesë dhe vëzhgues në këmbë gjë që ka bërë të të minimizohen aksidentet, theksoi ai
Thaçi thotë se një riparim i përgjithshëm në infrastrukturën hekurudhore është bërë 37 vjet më parë megjithatë sipas tij në hekurudhë ka pas edhe investime.
Ai thotë janë venë shenjëzimet, ndërkaq sipas një raporti pesë vjeçar të sigurisë aksidentet kanë ndodhur në linjat e hapura dhe kryqëzimet si pasojë e mosrespektimit të shenjave.
Hekurudhat e Kosovës shtrihen në tërë territorin e Kosovës me një gjatësi mbi 300 kilometrash .
Në këtë gjatësi nuk përfshihen vijat industriale të cilat kapin gjatësinë prej 103,4 kilometra.
Vijat hekurudhore bëjnë lidhjen e të gjitha qendrave më të rëndësishme të Kosovës përveç Gjakovës dhe Gjilanit.
Vijat e hekurudhave të Kosovës kanë lidhje të drejtpërdrejt edhe me shtetet fqinje si me Maqedoninë e Serbinë dhe përmes tyre edhe me shtetet e tjera.