Shteti i Kosovës u bë zyrtarisht me kod telefonik 383

Prishtinë, 15 dhjetor - Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka konfirmuar se nga sot, Kosova është bërë me kod telefonik ndërkombëtarë 383, të cilin Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) ia ka ndarë edhe zyrtarisht.
Bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, thuhet në deklaratën me shkrim të ministres Tahiri.
Kodi +383 është thënë se me fillimin e zbatimit do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale që përdoren nga operatorët do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.
Ky proces, siç kanë deklaruar kohë më parë autoritetet e Kosovës, do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.