Shqipëria ua shkel të drejtat e njeriut qytetarëve nga Kosova!
Prishtinë, 24 mars - Kohëve të fundit në KMDLNj janë shtuar ankesat e qytetarëve të Kosovës për shkeljet që u bëhen gjatë udhëtimit me vetura në territorin e Shqipërisë për faktin se , për kundërvajtjet në trafik autoritetet shqiptare ua konfiskojnë dokumentet (leja e qarkullimit, patent shoferi etj.) duke i detyruar pastaj që pas disa ditëve të drejtohen në gjykatën përkatëse , ta paguajnë gjobën e shqiptuar e vetëm atëherë mund ti marrin dokumentet e konfiskuara.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) nuk e sheh ndonjë bazë ligjore që e mbështet këtë veprim të autoriteteve shqiptare dhe vlerëson se kjo është në kundërshtim të plotë me standardet për të drejtat e njeriut përkatësisht për garantimin e lëvizjes së lirë.
Në fakt, ata që shkelin ligjin e komunikacionit në Shqipëri (shtetasit e Kosovës) do të duhej të kishin mundësi ta paguajnë menjëherë dënimin në vendin e kundërvajtjes apo, në raste më të rënda duhet të dërgohen në gjykatën më të afërt ku do ta paguanin dënimin e jo tu konfiskohen dokumentet dhe të urdhërohen që pas 4,5 dite të lajmërohen në gjykatë e që përveç dënimit të shqiptuar, paraqet humbje të kohës dhe shpenzime tjera shtesë të panevojshme.
Në kohën e fluksit më të madh (sezona turistike, ndonjë ngjarje sportive apo gjatë fundjavës) kryesisht bëhen patrullime të përbashkëta të policive të dy vendeve (të trafikut rrugor) andaj nuk ka asnjë arsye që dokumentet të konfiskohen kur dënimi mund të paguhet menjëherë.
Autoritetet kosovare, Ministria për Punë të Brendshme, Ministria për Punë të Jashtme dhe Ambasada e Kosovës në Tiranë duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme duke kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare në mënyrë që të jenë në gjendje ti sqarojnë pastaj qytetarët e Kosovës.
KMDLNj nuk e beson se autoritetet e Kosovës kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje me ato të Shqipërisë që e përligjin këtë veprim diskriminues siç është konfiskimi i dokumenteve në kohën nuk ka mënyra tjera të trajtimit të këtyre rasteve siç edhe veprojnë vendet e rajonit.
Autoritetet e trafikut rrugor të Shqipërisë ndaj qytetarëve të Kosovës i zbatojnë standardet e dyfishta; nëse kanë mundësi në vend të tiketave të dënimit u marrin para si mito dhe në rast se nuk kanë mundësi të mitosen atëherë i shqiptojnë dënimet e larta dhe i konfiskojnë dokumentet.
KMDLNj nuk i mbron shkelësit e rregullave të trafikut dhe nuk i amniston nga gabimet mirëpo fuqishëm e kundërshton konfiskimin e dokumentacionit kur ajo mund të zëvendësohet me një masë tjetër.
Prandaj, kërkon nga autoritetet kosovare të ndërhyjnë në mënyrë që kjo dukuri negative të mënjanohet ndryshe edhe autoritetet kosovare do të bëhen pjesë e mekanizmit të shkeljes së të drejtave të njeriut apo do të përligj kushtëzimin si mjet i palejuar dhe i dënueshëm që autoritetet shqiptare po e përdorin deri më tani.