Shqipëria në rrjetin ndërkombëtar hekurudhor përmes Malit te Zi
Tiranë, 1 janar - Nisur nga pozicioni gjeografik, dy shtete fqinjë Shqipëria dhe Mali i Zi janë duke intesifikuar projektet e bashkëpunimit në fushën e transportit.
Si dy vende anëtare të SEETO-s, Observatori i Transportit për Europën Juglindore, kohët e fundit pala shqiptare dhe ajo malazeze kanë rënë dakord për të pasur një stacion kufitar hekurudhor të përbashkët, si një lehtësim për fluksin e qarkullimit të trenave në dy territoret respektive.
Për palën shqiptare linja hekurudhore me Malin e Zi është shumë e rëndësishme. Me një rrjet modest të brendshëm prej 440 km, linja malezeze, mundëson komunikimin e Shqipërisë me sistemin ndërkombëtar hekurudhor, konkretisht kontaktin me vendet e Europën Qendrore.
Me mbështetjen me fonde nga Bashkimi Europian dhe nga shkëmbimi mes propozimeve të ekspertëve nga të dy vendet, është arritur një akord mes Tiranës dhe Podgoricës për të pasur një stacion të përbashkët kufitar.
Kjo zgjidhje e dy vendeve për zgjedhjen e pikës së përbashkët kufitare të Tuzit në territorin e Malit të Zi është e ngjashme si me përzgjedhjen e pikës kufitare të Muriqanit në territorin e Shqipërisë për transportin rrugor.
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një kooperim të ngushtë edhe sa i takon transportit ujor. Si vende anëtare të Iniciativës së Adriatikut ato punojnë për ruajtjen e standardeve të sigurisë teknike, mbrojtjen e ambientit detar dhe ujor në hapësirën detare të tyre, duke përfshirë shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës.
Ekipet e përbashkëta të ekspertëve janë duke punuar për ti dhënë më shumë dinamikë bashkëpunimit. Synohet të mundësohet një marrëveshje me interes reciprok për shfrytëzimin e përbashkët të lumit Buna për transportin me mjete lundruese, si dhe një marrëveshje për thellimin e përbashkët të grykës së këtij lumi deri në Liqenin e Shkodrës.
Që nga viti 2006 funksionon linja e rregullt e transportit të udhëtarëve me autobus Ulqin-Shkodër-Tiranë-Durrës. Shërbimet e transportit të rastit, kryesisht udhëtime turistike, nga ana e operatorëve shqiptarë realizohen në bazë të marrëveshjes INTERBUS.